Mustafa: Vendi është në bllokadë, duhet të shkohet në zgjedhje

E publikuar: 11/03/2019 13:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, zgjodhi përvjetorin e 29-të Forumit të Gruas që të flasë për zgjedhjet e reja duke thënë se Qeveria aktuale nuk po merret me interesat e qytetarëve, raporton Gazeta Express.

Sipas tij, pjesëmarrja e grave në institucione është meritë e LDK-së.

“Vet fakti që ne jemi në një bllokadë qeverisëse të vendit, tregon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Nuk do të ishte e drejtë që të kthehemi në histori dhe të flasim për rolin e gruas sepse ky rol po përmirësohet në vazhdimësi.Tani gruan e kemi gjithkund dhe të rinjtë i kemi gjithkund. Edhe në Kuvend edhe në Komuna ata po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe kjo është meritë e LDK-së. Gjithashtu edhe të rinjtë i kemi aktiv në çdo sferë. Kjo për shkak se ne si LDK kur kemi qeverisë asnjëherë nuk kemi praktiku që ti segmentojmë interesat e qytetarëve.Kosovës i nevojitet një orientim i tillë dhe pa një të tillë ne nuk mund të shkojmë përpara. Ne ja kemi bërë me dije edhe Qeverisë aktuale që duhet ta ndërrojë qasjen e saj”, ka thënë Mustafa.

Tutje i pari i LDK-së theksoi se është me interes të qytetarët që t’i përmbushin kërkesat e Bashkimit Evropian.

“Ne nuk i kemi dy shtëpi sikur Serbia që ka Rusinë dhe BE-në, por e kemi vetëm një. Pra neve na mungon që të bëhemi pjese e BE-së dhe të kemi zhvillim ekonomik në vend.Qeveria nuk po merret me interesat e qytetarëve. Problem i madh është korrupsioni, papunësia dhe kapja e shtetit.Ndërsa ata po i mbulojnë këto probleme me disa vendime të tyre që i kanë marrë vet. Ashtu si i kanë marrë këto vendime, ashtu duhet t’i zgjidhin.Ne do të japim kontributin tonë në dialog me Serbinë, por do ta bëjmë këtë si opozitë.Tani ndodhemi pranë proceseve të brendshme në LDK. Në fund të vitit të kaluar ne kemi hartuar një platformë për zgjedhjet e brendshme në LDK”,ka shtuar Mustafa.

Lideri i LDK-së theksoi se qeveria e kaluar, e udhëhequr nga ai kishte më shumë gra në Qeveri, krahasuar me qeverinë e tanishme.

“Unë mendoj se janë kritere shumë të mira. E rëndësishmja këtu është se LDK synon që përmes këtij procesi ta forcojë edhe më tej partinë.Nganjëherë na keni kritikuar me të drejtë se kemi pasur numër jo të mjaftueshëm të grave në Qeveri. Mirëpo nëse e krahasojmë me Qeverinë aktuale, ne kemi qenë shumë ma mirë.Nuk kisha dashur që LDK-ja ta synojë opozitën sepse po ua lamë këtyre që të udhëheqin, ata do të qeverisin keq dhe do ta shkatërrojnë Kosovën.Prandaj ne duhet ta synojmë pozitën. Ju ftoj që edhe në të ardhmen të jemi bashkë, në mënyrë që gjatë zgjedhjeve të ardhshëm të dalim fitues”, përfundoi Mustafa.