Mustafa tregon pse braktisi VLAN-in e u bashkua me PDK

E publikuar: 14/02/2016 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook” pranë festimit të Pavarësisë së Kosovës, duke mos u kursyer edhe nga kritikat dhe zbulimi i disa të pathënave deri tash për bllokun VLAN.

Ai ka thënë se AAK-ja, Nisma e në veçanti Vetëvendosja e kanë bindur se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të atillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Më tej ai sqaron edhe bashkimin me PDK-në, transmeton Koha.net.

“Edhe unë isha me AAK-në, Nismën dhe VV, nga qershori deri në nëntor të vitit 2014, por sjellja e tyre, sidomos e VV, më bindi se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të tillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Me PDK-në u morëm vesh që bashkërisht të qeverisim Kosovën, me zotim se do ta rikthejmë dhe forcojmë shtetin ligjor, të vazhdojmë të ndërtojmë ekonomi të tregut, të kultivojmë partneritetin ndërkombëtar, të trajtojmë mirë dhe të integrojmë popullatën jo shumicë”, ka shkruar Mustafa duke shtuar se fabrikantët e diskursit anarkist këtë e quajnë tradhti, ndër ta dhe ata që i agon dita duke pirë raki dhe kur iu trashet gjuha krahasohen me Ajnshtajnin.

Ai thotë me tej se nuk e sheh arsyen logjike që krerët e AAK-së dhe Nismës, që janë luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së, i janë bashkangjitur VV-së në veprimet e tyre si peng.

Postimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Të dashur miq,

Janë 16 vite nga ndërhyrja e NATO-s dhe tetë vite nga shpallja e pavarësisë. Për jetën e një të riu janë shumë vite, ndërkaq për historinë janë vite të hapave të parë të ndërtimit të mekanizmave shtetëror, të tranzicionit demokratik dhe ekonomik, të njohjeve nga vendet e tjera. Mund të lavdërohemi se kemi bërë shumë, e kur mbushemi me nihilizëm shohim vetëm keq. Por, mendoj se askujt, nga populli i këtij vendi, nuk ia zë goja të thotë se shteti ynë dhe pavarësia nuk ia vlen, se ajo nuk ekziston. Përjashtuar ata që akoma ëndërrojnë se Kosova duhet të jetë Serbi.

Ky vend nuk u çlirua lehtë, janë gjenerata të tëra që u flijuan për idenë e pavarësisë, janë rreth 15 mijë të vrarë në luftën e fundit, llogaritet të jenë rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe të ekspozuara sjelljeve shtazarake të forcave ushtarake e paramilitare serbe; sot e kësaj dite janë edhe rreth 1600 të pagjetur. Vlerësojmë ushtarët dhe paqeruajtësit ndërkombëtar, të cilët u flijuan për këtë vend.

Janë këto fakte, të cilat, nuk i japin të drejtë askujt të thirret në emër të turmave e të sulmojë me gurë, shufra hekuri, me armë e me shishe molotovi institucionet e Kosovës të dala nga vota e lirë, të sulmojë policët e Kosovës, pronat publike e private. Veç se në një proces demokratik kanë mbetur në pakicë, e populli u ka dhënë vota aq sa e kanë merituar!

Kundër dhunës janë ata që kanë shumicën në parlament, edhe përfaqësuesit e popullatës joshumicë, të cilët si pakicë ndihen të pasigurt. Në takimet që unë si Kryeministër kam pasur me përfaqësuesit e bizneseve, sindikatave, shoqërisë civile, mediave, sportistëve, të rinjve, kompanive më të mëdha përfshirë Trepçën dhe KEK-un, të gjithë e kanë refuzuar dhunën dhe shkatërrimin e shtetit. Dhunën si instrument politik nuk e ka përkrah asnjë shtet demokratik. Kërkohet të punohet më shumë, të bëhen ndryshime pozitive, të hapen vende të punës, të përmirësohet arsimimi dhe shëndetësia, të sigurohet ardhmëria ekonomike e sociale.

Shtrohet pyetja: Kush dhe kah po i financon gjithë këto aktivitete kundër shtetit. Lypset para e madhe për materiale propaganduese, spote e reklama në media, shpenzime të transportit të protestuesve, performansa të llojllojshme ditore?! Ligji obligon të kontrollohen këto shpenzime.

Pyetja tjetër është se çfarë synohet me dhunën, në sallën e Parlamentit dhe jashtë saj. Nëse shënjimi i kufirit me Malin e Zi, kërkohet të zgjidhet me dhunë, atëherë të njëjtën gjë mund a bëjë edhe pala tjetër. Qeveria nuk ka asnjë ankesë të argumentuar të asnjë qytetari, të asnjë komune dhe të asnjë agjensioni shtetëror se ndonjë pjesë e hapësirës tokësore me të cilën kanë administruar në pronësi më parë, ka kaluar në Malin e Zi. Prandaj po të ishte kjo kauze reale, do të uleshin në tavolinë për të argumentuar. Mungesa e argumenteve i qon te gurët dhe armët.

As Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, që si çamçakëz e përtypin në serbishte patriotët e VV, nuk duhet të jetë çështje e rrënimit të shtetit. Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar se Marrëveshja e Parimeve për Asociacionin shkel sovranitetin vendit, por ka konstatuar se si e tillë mund të rrezikoj të drejtat, që komunave me shumicë serbe u takojnë me ligj dhe me Kushtetutë. Dhe, nëse opozita është e brengosur për këtë çështje le të bashkohet në hartimin e Statutit të Asociacionit. Ndryshe rezulton të jetë kauze false.

Rezultoi se nuk është as shënjimi i kufirit me Malin e Zi, e as Asociacioni kauzë, por qenka shpërndarja e Parlamentit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet e imponuara dhe të shkaktuara nga dhuna e pakicës janë mënyra më e mirë për ta zhytur vendin në kaos institucional, në dhunë ciklike dhe në mohim të shtetit. Koalicioni qeverisës është i përgjegjshëm ndaj votës së qytetarëve dhe nuk do të lejojë me asnjë kusht tu plotësohet dëshira anarkistëve. Atyre që e mohojnë Ditën e Pavarësisë.

Një prej arsyeve të zgjedhjeve, u tha se ishte se është kapja e shtetit. Edhe unë pajtohem se ka kapje të shtetit, jo aq nga strukturat politike sa nga oligarkë politik e parapolitik, të cilët kanë përvetësuar e privatizuar nën kërcënime pas luftës e janë pasuruar shumë, shfrytëzojnë pronat publike si me qenë të tyre, e disa që kanë bërë krime nga më të ndryshmet, të cilët synojnë të diktojnë se kujt duhet dhënë tenderët, se kush duhet të udhëheqë firma e pasuri të caktuara, se me kënd duhet marrë vesh për Trepçën e pasuritë natyrore. Gjendja pa pushtet në Kosovë do të ishte parajsë për ata, sepse nuk do ti shqetësonte askush. Kur funksionon shteti, ashtu si ka filluar të funksionoj, ngadalë por sigurt, të gjithë e shohin veten të rrezikuar.

Dita e flamurit, 28 Nëntori dhe Dita e Pavarësisë, 17 shkurti janë për të festuar. Logjika që këto ditë të shfrytëzohen për të protestuar dhunshëm kundër institucioneve të Kosovës, është nënçmim për qytetarët e këtij vendi. Siç është nënçmim dhe sjellje e turpshme “dekorimi” i Kryeqytetit nga krerët e Komunës së Prishtinës me pankarta e parulla si të revolucionit kulturor kinez, e jo dekorimi me flamuj dhe simbole të Republikës së Kosovës. Është mohim i njërës dhe datës tjetër. Nuk mund të shoh arsyen logjike të krerëve të AAK-së dhe Nismës, luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së që, si peng, iu kanë bashkëngjitur VV në këto veprime.

Edhe unë isha me AAK-në, Nismën dhe VV, nga qershori deri në nëntor të vitit 2014, por sjellja e tyre, sidomos e VV, më bindi se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të tillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Me PDK-në u morëm vesh që bashkërisht të qeverisim Kosovën, me zotim se do ta rikthejmë dhe forcojmë shtetin ligjor, të vazhdojmë të ndërtojmë ekonomi të tregut, të kultivojmë partneritetin ndërkombëtar, të trajtojmë mirë dhe të integrojmë popullatën joshumicë. Fabrikantët e diskursit anarkist këtë e quajnë tradhti, ndër ta dhe ata që i agon dita duke pirë raki dhe kur iu trashet gjuha krahasohen me Ajnshtajnin. Unë qeverisjen me PDK-në, në një kurs të qartë zhvillimor, e konsideroj veprim të mençur dhe alternativën më të mirë në këto kushte.
Veprimet e tanishme të opozitës dëmtojnë, por nuk kanë fuqi as ta lëkundin e as ta rrënojnë shtetin. Shteti janë shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk donë që edhe njëherë këtë vend ta kaploj dhuna, shkatërrimi, mjerimi, vrasjet e plaçkitjet; janë ata që besojnë se drejtësia do të zbardh humbjen e njerëzve të tyre; që kërkojnë dekriminalizimin e plotë të vendit, luftimin e korrupsionit dhe të ekstremizmin e dhunshëm; ata që Kosovën e tyre e shohin në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE. Janë qytetarët e këtij vendi ata që nuk miratojnë që në Kosovën e tyre të shohin pamjet e vendeve dhe organizatave më ekstremiste të këtij fillimshekulli.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, besoj në shtetin dhe qytetarët!