Mustafa thotë se ishte komplet i palëvizshëm, tregon detaje si u sëmurë 1 vit më parë

E publikuar: 07/01/2019 16:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar në detaje se si ishte sëmurë para një viti.

Sot janë bërë një vit, qëkur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ishte shtruar në spital, shkruan lajmi.net.

Është vet Mustafa ai i cili përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook ka treguar në detaje se si dhe çfarë ndodhi në 7 janarin e vitit të  kaluar.

Mustafa po ashtu ka treguar se nga cili sindrom vuan dhe se ka treguar për një kohë të gjatë ai ishte komplet i palëvizshëm.

Ai ka falënderuar familjarët, mjekët dhe miqtë e tij që i qëndruan pranë gjatë gjithë kësaj kohe.

Postimi i plotë i Mustafës pa ndërhyrje:

Miq të nderuar

Sot mbushet një vit i përballjes sime me rehabilitimin shëndetësor. Në mbrëmjen e 7 janarit 2018 sa isha në fshat ndjeva se po humbi fuqinë e duarve dhe këmbëve. Pas 24 orëve në Spitalin Amerikan, dr Blerim Myftiu identifikoi diagnozën e saktë, Sindromin Gulian Barren dhe shkroi terapinë e nevojshme. Në Gjermani ishin të habitur për identifikimi e shpejtë që iu bë nga mjekët kosovar kësaj sëmundjeje shumë të rrallë (një deri dy raste në njëqindmijë banorë).

Sot, kur po shkruaj me duart e mia, shfrytëzoj rastin të falënderoj ekipin e mjekëve dhe infermierëve të Spitalit Amerikan në Prishtinë, që në ditët e para të sëmundjes u përkujdesën për mua, të falënderoj prof.dr. Halill Krasniqin, për kujdesin e vazhdueshëm sa isha i shtruar në Qendrën e Rehabilitimit “Quellenhof”, në Bad Vil Baden të Gjermanisë dhe veçmas prof dr. Afrim Gashin dhe ekipin e shkëlqyeshëm të fizioterapeutëve në Prishtinë, Nadira Boshnjaku dhe Amir Tyrbetari dhe nipi im Feti Gashi.

Gjatë gjithë kësaj kohe, edhe pse një periudhë isha krejtësisht i palëvizshëm nga duart dhe këmbët, kisha kurajo të sfidohem me këtë sëmundje; kisha besim në zotin, në veten time dhe në mjekët se do të rikuperohem. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam pushuar së punuari dhe lexuari. Rikthimi po vjen ngadalë, me rendin e vet.

Për mua familja ka qenë gjithherë e shenjtë. Bashkëshortja Qevseri, djemtë Arbeni e Besniku, vajza Aferdita, vëllau Mustafa dhe vajza e tij Blerina, nuk më kanë lënë asnjë minutë vetëm, qoftë në Spitalin Amerikan, pastaj tre muaj në Gjermani dhe tani në Prishtinë. Pa përkrahjen e tyre vështirë se do të përballoja. Afër familjes, gjatë qëndrimit në Gjermani kanë qëndruar dhe ndihmuar Valon Ademi, Remzi Ejupi, Vlora Dumoshin, Valon Dumoshi e Naser Gashi.

Falënderoj miqtë, bashkëpunëtorët nga LDK, nga ASHAK, Fakulteti Ekonomik, përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë dhe liderët politik shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës të cilët më dhanë kurajë gjatë kësaj periudhe. Veçmas falënderoj fqinjët, qytetarët dhe bashkatdhetarët për interesimin e tyre!. /Lajmi.net/