Mustafa: Qeveria do ta përkrah zhvillimin e Reçanit

E publikuar: 16/04/2016 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vizituar sot Reçanin dhe vendbanimet përreth këtij rajoni.

Fillimisht, kryeministri Mustafa ka zhvilluar një takim me qytetarë ku ishin të pranishëm qindra banorë të Reçanit dhe fshatrave tjera, përfaqësues politik të komunitetit boshnjak dhe komuniteteve tjera që banojë në këto zona, përfaqësues të fermerëve, biznesmenë dhe përfaqësues të OJQ-ve.

Më pas, kryeministri Mustafa ka shëtitur nëpër Reçan dhe ka takuar banorët si dhe ka vizituar fshatin Ljubinje, ku pas një shëtitje dhe vizite në disa pika të frekuentuara ka bashkëbiseduar me përfaqësuesit dhe banorët e këtij fshati.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Mustafa shoqërohej nga ministri pa portofol, Rasim Demiri, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, si dhe disa zëvendësministra të resorëve të tjerë.

Gjatë takimit me qytetarët e këtyre zonave, kryeministri Isa Mustafa ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të trajtuar të gjitha kërkesat dhe shqetësimet e tyre si dhe për të ofruar përkrahje për zgjidhjen e problemeve dhe zhvillimin e këtyre zonave.

“Për ne është me rëndësi që të zhvillojmë bisedë të hapur me qytetarët tanë, t’i dëgjojmë hallet e juaja, t’i dëgjojmë kërkesat e juaja, por po ashtu të marrim edhe propozimet, vërejtjet, sugjerimet e juaja, se si te organizojmë punën më mirë, si ta organizojmë ekonomikisht këtë zonë dhe Kosovën dhe si ta forcojmë shtetin ligjor, si ta përmirësojmë arsimin, dhe si të mundësojmë që sa më shumë qytetarë të kyçen në vetëqeverisjen lokale dhe të jenë më afër pushtetit lokal. Mirëpo, të gjitha këto do t’i bëjmë në bashkëpunim me komunën, në bashkëpunim me ministritë përkatëse dhe në bashkëpunim me qytetarët”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri Rasim Demiri, ka falënderuar kryeministrin Mustafa për këtë vizitë.

“Kjo për ne është ditë e veçantë. Unë e falënderoj kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij që i janë përgjigjur ftesës tonë. Vetë ardhja e kryeministrit këtu dëshmon se kjo Qeveri, që udhëhiqet nga Isa Mustafa, ka programin e saj, ka planin e saj, se si të lehtësohet dhe të përmirësohet jeta e të gjithë qytetarëve në Kosovë, në këtë mes edhe e qytetarëve të komunitetit boshnjak”, tha Demiri.

Duke iu referuar rezultateve të arritura deri më tani nga Qeveria e Kosovës, ministri Demiri, ka thënë se përparimi që është arritur në zhvillimin ekonomik, punësim, përmirësimin e sistemit arsimor dhe suksese tjera që janë përmendur nga kryeministri Mustafa një ditë më parë, janë të arritura për të gjithë qytetarët, duke përfshirë edhe komunitetin boshnjak.

Demiri, po ashtu, ka njoftuar edhe për çështjet tjera që preokupojnë këtë rajon siç janë krijimi i komunës së re, migrimi dhe aspektet tjera të zhvillimit.

Gjatë debatit të zhvilluar, qytetarë të shumtë dhe përfaqësues politik kanë shtruar problemet dhe preokupimet e tyre, në të cilat kanë marr përgjigje nga kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, informon Zyra për Informim e Kryeministrisë.