Mustafa: Qeveria do t’i lehtësojë investimet e drejtpërdrejta në Kosovë

E publikuar: 30/03/2015 22:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se Qeveria do t’i lehtësojë maksimalisht investimet e drejtpërdrejta në Kosovë, do të përshtatë politikën fiskale e cila do t’iu jap mundësi bizneseve që në vitet e fillimit ta kenë shumë më lehtë të punojnë.

Këto komente kryeministri Mustafa, i bëri në fjalën e tij të hënën në ceremoninë e inaugurimit të Fabrikës për prodhimin e ambalazhit fleksibil plastik “KIVO” L.L.C., në magjistralen Kaçanik-Ferizaj.

Ai tha se kjo është një shenjë e mirë e zhvillimit ekonomik jo vetëm për këtë pjesë, por edhe për Kosovën.

“Do të krijojmë ambient të mirë të biznesit në pikëpamje edhe legale, por edhe në pikëpamje të bashkëpunimit ekonomik, qoftë në regjione tjera këtu në vend, qoftë edhe me shtete tjera të cilat neve na përcjellin, këto 50 vendet e reja që po hapen dhe për 80 që mund të shtohen më tutje, janë vlera të veçanta për Kosovën”, theksoi kryeministri.

Tutje Mustafa tha se Kosova ka një ambient të mirë ku mund të investohet.

“Mund ta thonë të vërtetën për Kosovën, se këtu ka një ambient në të cilin mund të investohet, ka një ambient të mirë të biznesit, të cilën do ta bëjmë edhe më të mirë së bashku me juve që jeni sot këtu, dhe të cilët keni investuar në Kosovë. Ka një ambient i cili do të pasurohet edhe me investime të tjera, të cilat do të jenë investime përcjellëse karshi këtyre që po vijnë dhe kanë ardhur në Kosovë”, tha kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri ka falënderuar për kontributin që miqtë nga Holanda dhe Qeveria holandeze po japin për Kosovën.

Me nga një fjalë rasti, të pranishmit në ceremoni i kanë përshëndetur edhe Visar Ramajli dhe Robert Kwakman drejtues të KIVO-s, kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi dhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Robert Bosch./Gazeta Tribuna/