Mustafa: Problem më i madh janë njerëzit e inkriminuar që s’kanë aktakuza

E publikuar: 27/07/2019 18:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Degës së PDK’së në Gjilan, Qemajl Mustafa e ka nda mendjen të respektojë vendimin e Kadri Veselit për të mos kandiduar për deputet të Parlamentit të Kosovës. Ka thënë se përderisa një vendim i tillë është në fuqi do ta respektojë pavarësisht pasojave personale.

Megjithëkëtë, ish-Kryetari i Komunës së Gjilanit ka thënë se problemi më i madh është te njerëzit që janë të inkriminuar e që s’janë fare të hetuar e akuzuar nga drejtësia.

Ka thënë se pasojë e sistemit të dështuar të drejtësisë janë krijuar njerëz që kontrollojnë drejtësinë, mediat e bizneset.

“Problemin e kemi te ajo që e kam thënë disa herë, se kemi shumë më shumë njerëz të inkriminuar që s’kanë aktakuza se sa njerëz që kanë aktakuza e dyshohet se kanë kryer vepra penale”, ka thënë Mustafa, për Express, të shtunën.

“Qysh thotë vendimi, edhe pse nëse rrijmë në disiplinë partiake, duhet ta respektojmë vendimin e Partisë dhe të Kryetarit. Parimisht kam thënë se vendimi është i mirë. jam vu në përkrahje të vendimit pavarësisht pasojave që unë mund të kem personalisht”, ka shtuar ai.

“Ndonjëri me moskandidim i bën hair që nuk është në listë, dikush e dëmton”, ka vlerësuar ai.

“Kosova është keq. e vetërta është se ka krim e korrupsion sepse e thonë matjet ndërkombëtare dhe organizatat e huaja. Sa është e shtrirë nuk e di personalisht”, ka shtuar ai.

Sami Lushtaku para disa ditësh lëshoi akuza në drejtim të disa njerëzve të PDK’së se kontrollojnë drejtësinë, biznesin dhe mediat. Kërkoi që 4-5 persona të largohen me turp nga PDK’ja.

Asnjë fjalë deri më tash për këto s’e ka thënë Kadri Veseli dhe as zyrtarët tjerë të PDK’së. Ka folur vetëm Elmi Reçica i cili ka thënë se me vota në PDK s’është më i forti Sami Lushtaku.

Edhe Qemajl Mustafa thotë se sistemi i keq i drejtësisë ka krijuar hapësirë për njerëz të fortë mbi ligjin.

“Ka njerëz të fortë që kjontrollojë mediat, politike. etj. Por a ia ka qellu Sami Lushtaku s’di”, ka thënë ai.

Mustafa këto komente i ka bërë pasi zyrtari i PDK’së, Ilir Gashi, që ka qenë pjesë e KQZ e ka quajtur të frikshëm vendimin e Kadri Veselit për të mos lejuar asnjë kandidat për të garuar për deputet nëse ka probleme me drejtësinë.

Adem Grabovci, Agim Çeku, Sokol Bashota, Qemajl Mustafa, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Xhavit Haliti do ta shohin vetëm në televizor Parlamentin e Kosovës nëse vendimi i Kadri Veselit zbatohet për të mos lejuar të kandidojnë për deputet njerëzit që kanë aktakuza, shkruan Gazeta Express.

Një zyrtar i PDK’së e ka quajtur të frikshëm këtë vendim të Veselit. Ka thënë se është vendim edhe parimor për të mos lejuar ata që kanë aktakuza të kenë pozita shtetërore.

“Paralajmrimi i frikshëm, por parimor i Kryetarit Kadri Veseli, rreth pa mundësive për kandidim të atyre qe jan ndesh me drejtêsin, natyrshem se këtë kategori e bênë të gjejnê streh në subjektet ku ligji êshtê vetëm një akt i shkruar, por që nuk gjënë zbatim”, ka shkruar Gashi, në një reagim në FB.

Kadri Veseli ende s’ka folur nëse do ta çojë përpara vendimin për dekriminalizimin e PDK’së nga njerëzit që kanë probleme me Ligjin.

.

Së fundmi, edhe Xhavit Halitit iu ngrit një aktakuzë për sulmin fizik që ia kishte bërë Arben Gashit në Parlament.

Express kishte shkruar se Adem Grabovci s’e ka më mendimin e njëjtë sikur dikur – në përgjimet e PRONTO’s – kur zotohej se do të respektonte secilin vendim të Kadri Veselit, i cili ishte vetëm anëtar i PDK’së.

Në përgjime teksa merrte urdhra nga Veseli, Adem Grabovci thoshte se “ti merr vendime, unë i zbatoj”.

Raportet e Grabovcit me Kadri Veselin kanë ndryshuar krejtësisht prej se Kryetari i PDK’së vendosi t’i përjashtojë nga partia të gjithë ata që kanë aktakuza. E t’i shkarkojë nga Qeveria gjithë ata që përballen me drejtësinë.

Me 30 qershor, Adem Grabovci kishte folur me përçmim kur është pyetur për vendimin e ish-shefit të SHIK’ut për përjashtimin nga organet e partisë të atyre që kanë probleme me ligjin.

“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? Çfarë largimi?”, ka shtruar pyetje Grabovci dhe ka dhënë përgjigje edhe për vendimin e Kadri Veselit.

“Mu vota më ka zgjedhë e vota mundet me m’largu, askush tjetër. Jam njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe nëse mbetet vetëm një anëtar i PDK’së, ai jam unë”, ka thënë Grabovci për Express.

Adem Grabovci nuk ishte lejuar të kandidonte për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale. Edhe i propozuari i tij për Ministër, Besim Beqaj, është shkarkuar nga Veseli.

Ish-Nënkryetari i PDK’së fillimisht kishte humbur pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së kur shpërtheu afera e quajtur “Pronto”, e cila ende nuk është mbyllur, e ku dëgjohen zyrtarët e PDK’së teksa flasin për punësimet e anëtarëve të partisë nëpër institucione të shtetit. Në mesin e bisedave janë edhe ato të Grabovcit me Kadri Veselin, i cili i tregon se cilin person duhet ta shtyjë përpara për pozitat publike.

Së fundmi, Kadri Veseli, në një paraqitje publike, dha lajmin se po i largon njerëzit me aktakuza nga Partia e Qeveria. Deri më tash kanë pësuar tre persona: Besim Beqaj, Nijazi Kryeziu dhe Agim Çeku.

Por, në Parti s’po ia pranojnë vendimin. Vendim ky që nuk është marrë as në Kryesi dhe as në Këshillin Drejtues.

Pikërisht këtu ndalet Adem Grabovci. Thotë se nga Partia të largojnë vetëm ata që të sjellin aty – anëtarët e Këshillit Drejtues.

“Vetëm vota mund të më largojë prej partie Unë i falënderoj të gjithë votuesit gjegjësisht anëtarësinë e PDK’së që më kanë votuar fuqishëm dhe jam njëri ndër më të votuarit në këshillin drejtues të PDK’së, vetëm ata që ma kanë dhënë votën mund të më largojnë”, ka thënë Grabovci.

Ish-deputeti i PDK’së ka thënë se respekton çfarëdo vendimi që bazohet në Statutin e Partisë. Ky dokument s’përcakton askund të drejtën e Kryetarit t’i përjashtojë njerëzit nga Partia.

“Unë jam institucionalist, i respektoj institucionet, i respektoj rregullat që i nxjerri vet, statutin e partisë ai për mua është kushtetuta e partisë, siç është kushtetuta e shtetit edhe kushtetuta dhe programi janë për partinë”, ka shtuar ai.

Kadri Veseli ende s’e ka thënë asnjë fjalë dhe s’e ka marrë asnjë veprim për largimin e atyre me aktakuza. Madje, disave ju ka premtuar se vendimi nuk i prek, duke bërë seleksionime.

Megjithëkëtë, Sami Lushtaku dhe Sokol Bashota, po ashtu, kanë refuzuar të pranojnë vendimin e Kryetarit të PDK’së.

Lushtaku ka thënë se s’ka bir nane që e largon nga PDK’ja. Ka kërkuar të largohen me turp 4-5 njerëz të PDK’së që kontrollojnë mediat, biznesin dhe drejtësinë.

Adem Grabovci s’dëshiron të kometojë deklaratat e zyrtarëve tjerë të PDK’së. Vetëm konfirmon se do të punojë për të mirën e partisë së themeluar pas përfundimit të luftës.

“Po e përsëris se edhe nëse mbetem anëtari i vetëm i partisë unë do të jem dhe do ta zhvilloj partinë sepse besoj shumë në vizionin e PDK’së të cilin e kam krijuar dhe fuqizuar edhe vet”.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje më 18 korrik, dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR. Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte. Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë.

Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik. Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendi.

LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt. Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe. Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm. Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale. /GazetaExpress/