Mustafa: Pensionet e veteranëve të UÇK-së do të paguhen pas rishikimit të Buxhetit

E publikuar: 30/08/2017 14:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, në takimin që ka pasur me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se pensionet e tyre do të paguhen pas rishikimit të buxhetit.

Në takim ishin edhe ministri i Financave, Agim Krasniqi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi. Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me vështirësitë ligjore për realizimin e pagesave të pensioneve të veteranëve luftëtarë për muajin gusht dhe muajt në vijim.

Kryeministri Mustafa i njoftoi përfaqësuesit e OVL të UÇK-së, se pengesat për pagimin e pensioneve ndërlidhen me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Buxhetin, të cilin duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës, ndërkaq janë evidente zvarritjet në konstituimin e Kuvendit.

“Sa u përket fondeve, ato do të sigurohen me rishikim të Buxhetit, dhe veteranët do të realizojnë plotësisht të drejtat e tyre në pensionet që u takojnë, të cilat do të paguhen në mënyrë retroaktive”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Gjatë takimit është dakorduar që shuma e mbetur prej 1.7 milion euro në buxhetin e kategorisë së veteranëve të shpërndahet proporcionalisht dhe pagesa sipas kësaj shpërndarje të bëhet menjëherë.

Gjithashtu kryeministri Mustafa, ka njoftuar përfaqësuesit e veteranëve se janë në përfundim procedurat për fillimin e punës së Komisionit për kategorizimin e veteranëve luftëtar dhe se puna e këtij Komisioni do të fillojë javën e ardhshme.