Mustafa ngushëllon Brukselin: Jemi bashkë kundër të keqes

E publikuar: 22/03/2016 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas sulmeve në Bruksel, ku orë më parë ndodhën tri shpërthime të njëpasnjëshme në aeroportin dhe stacionin e trenave në këtë qytet.

Mustafa ka shprehur ngushëllime për familjet e 13 personave që humbën jetën në mëngjesin e sotëm nga sulmet, duke thënë se Qeveria është e gatshme të dënoj këto akte dhe të vazhdoj luftën kundër kësaj të keqe.

“Duke shprehur dhimbjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për viktimat njerëzore të këtij akti të rëndë terrorist, shprehu solidaritetin me familjet e viktimave dhe Qeverinë e Belgjikës, në këto momente të vështira”, është shprehur kryeministri Isa Mustafa.

Sulmet e njëpasnjëshme terroriste që po shkaktojnë viktima në njerëz, sipas kryeministrit Mustafa, dëshmojnë nevojën e bashkimit të botës demokratike kundër të keqes dhe akteve terroriste të drejtuar kundër rendit demokratik.

Qeveria e Republikës së Kosovës shprehë përkushtimin e saj në luftën e përbashkët me forcat demokratike kundër terrorizmit.

”Ne jemi të përkushtuar dhe do të bashkëpunojmë me botën demokratike në luftimin e akteve të drejtuara kundër jetës së qytetarëve të lirë dhe demokracisë kudo në botë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Isa Mustafa.