Mustafa: Me LVV-në do ta diskutojmë edhe çështjen e Presidentit

E publikuar: 08/11/2019 15:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së kësaj partie ka thënë se kanë diskutuar për punën që ka bërë grupi punues i LDK-së në takimet me LVV-në.

Mustafa ka thënë se ende nuk është diskutuar për ndarjen e ministrive me LVV-në.
“Ne sot në mbledhje të kryesisë së LDK-së u informuam nga ekipi ynë lidhur me rrjedhën e dialogut, bisedave që po zhvillohen me LVV-në për harmonizimin e programit qeverisës. Kryesia ka vlerësuar se ekipi ynë ka bërë një punë të mirë. Shumica e programit është harmonizuar. Janë disa çështje që duhet të harmonizohen. Ne parimisht jemi shprehur që ne do ta pranojmë që kryeministrin ta ketë partia që del e para dhe ne do t’i përmbahemi këtij parimi. Por kjo nuk do të thotë që çështja e kryeministrit është e përfunduar në pikëpamje të peshës që ka edhe në pozita tjera shtetërore”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Mustafa ka përmendur takimin kur do të flitet për ndarjen e posteve.

“Ne do ta kemi një takim me liderin e LVV-së, dhe nënkryetarët e LDK-së si dhe kandidatja për kryeministër nga LDK. Në këtë takim do të bisedojmë për çështjen e posteve dhe do ta bëjmë publike”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për dialogun duke thënë se duhet ecur tutje.

“Do ta inkurajojmë qeverinë e ardhshme ta dërgojë dialogun përpara dhe nuk pres që do të kemi kundërshtim të LVV-së në këtë aspekt. Modalitetet pastaj caktohen rrugës. Lidhur me taksën ne jemi shprehur që do të aplikojmë reciprocitetin”, ka thënë ai.

Mustafa ka folur edhe për postin e Presidentit, duke thënë se do të diskutojnë me LVV-në se cilës parti i takon ta propozojë për të ardhmen.
“Po shoh që po bëhet zhurmë në medie për çështjen e Presidentit. Nuk e kemi në rend ditë këtë, e kemi çështjen e zgjedhjes së qeverisë dhe parlamentit. Por të gjitha çështjet që do të dalin gjatë kësaj periudhe duhet të diskutohen brenda katër vjetëve, e edhe çështja e Presidentit. Mirëpo, në asnjë rast unë nuk jam shpreh se do të jam i propozuar. Ky propozim do të vije kur të shpallen zgjedhjet për President dhe propozimi vije nga partia. Kjo çështje duhet të bisedohet me partnerët e koalicionit, dhe duhet të përkrahim të drejtën e një subjekti politik që nesër ta bëjë propozimin për këtë. Pra tani do të merremi vesh se kujt i takon ta propozojë kandidatin për president në të ardhmen. Por vetëm kujt i takon, e jo ta propozojë tani”, ka thënë ai.