Mustafa: Kurti dhe Osmani e kanë ditur që në ShBA nuk do të ketë ndarje

E publikuar: 10/09/2020 21:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se marrëveshja në Uashington është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai ka thënë se LDK i ka besuar ShBA-së dhe Grenellit nga fillimi dhe se ka qenë e bindur se në Uashington nuk do të ketë ndarje, por as ndryshim të kufijve.

Në emisionin Pressing në T7, Mustafa ka thënë se edhe Albin Kurti e Vjosa Osmani që po pretendojnë se marrëveshja është e dëmshme, e din dhe e kanë ditur se në Uashington nuk do të ketë “thika mbi harta” e as ndarje.

Ish-kryeministri Mustafa ka insistuar se marrëveshja e arritur më 4 shtator është e dobishme për Kosovën, por edhe për Serbinë dhe në përgjithësi për vendet e Ballkanit Perëndimor.