Mustafa: Koalicioni me Vetëvendosjen s’është i rëndomtë, i vështirë të bëhet (VIDEO)

E publikuar: 17/10/2019 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se arritja e një koalicioni me Vetëvendosjen nuk është e lehtë.

Ai ka deklaruar se një koalicion mes dy subjekteve, ku njëra është e qendrës së djathtë dhe tjera është e majtë nuk është aspak i rëndomtë.

“Një koalicion i ardhshëm me Vetëvendosjen nuk është koalicion i rëndomtë. Është një koalicion që nuk është shumë i rëndomtë dhe është paksa i ndërlikuar dhe i vështirë të bëhet dhe të menaxhohet”.

“Dallimi i kemi se jemi parti e qendrës së djathtë, si parti simotër e Partive Popullore Europiane, derisa Vetëvendosja e Albin Kurtit është parti e majtë ose e qendrës së majtë, mirëpo kryesisht dallojmë në politikat ekonomike më së tepërmi”.

“Ne do të përqendrohemi që të gjejmë pikat që mund të jenë të përbashkëta. E para që ne të kemi investime në sektorin privat, që ta përkrahim sektorin privat, kryesisht bizneset e vogla dhe të mesme, që të kemi rritje të punësimit dhe zvogëlim të papunësisë, rritje të bruto-proudktit vendor i cili mundëson që treguesit e tjerë ekonomikë të jenë pozitivë dhe siguron besim për investitorët e huaj të vijnë dhe të investojnë në Kosovë përmes investimeve të huaja direkte”.

“Luftën kundër krimit dhe korrupsionit mund ta bëjmë më mirë se me çdo subjekt tjetër, sikur të vendosim të bëjmë koalicion qeverisës”.

Mustafa në Zonën e Debatit të Klan Kosovës ka thënë se për arritjen e këtij koalicioni, me gjithë dallimet e mëdha që mund të kenë si subjekte politike, duhet të lihen anash çështjet ideologjike.

“Për një moment të caktuar, duhet të lëmë çështjet ideologjike anash dhe të jetë një qeveri praktike që të angazhohet në çështjet pragmatike që preukopojnë qytetarët tanë. Si subjekte, kush çfarë është, dallimet janë shumë të mëdha sepse kemi dallime nga një parti e qendrës së djathë në një parti të majtë”.