Mustafa i reagon Kusari-Lilës që kërkoi shkarkimin e Hotit

E publikuar: 03/08/2020 10:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa i ka reaguar kryetares së Alternativës, njëherit edhe deputete në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, që kërkoi largimin e Avdullah Hotit nga posti i kryeministrit, meqë nuk respektoi vendimin e IKSHPK-së që pas testimit të vetëizolohet.

Mustafa deklaratën e Kusari-Lilës ku kërkoi shkarkimin e Hotit e ka quajtur kërcënim, duke thënë se, “të ngrihesh në mëngjes e ta kërcënosh kryeministrin se do të shkarkojmë, pse të ka kapur virusi një ditë më parë, është kanibalizëm politik, një idiotizëm i skajshëm që kapërcen çdo normë njerëzore. A thua kështu i edukojmë fëmijët”.

Ai tutje ka thënë se “strucët e kabinetit qeveritar, këshilltarët, ministrat por edhe bashkëpartiakët e Hotit dhe të tij heshtin meqë siç e quan ai xhelatja Kusari-Lila nuk ua ka përmendur emrin”.

Postimi i plotë:

Miq të nderuar

Është edukatë elementare njerëzore që e kemi kultivuar në familjet tona, të respektojmë të sëmurin. Ta ndihmojmë, t’l japim kurajo ose ta lëmë rehat në telashet e tij.

Të ngritesh në mëngjes e ta kërcënosh Kryeministrin se do të shkarkojmë, pse të ka kapur virusi një ditë më parë, është kanibalizëm politik, një idiotizëm i skajshëm që kapërcen çdo normë njerëzore. A thua kështu i edukojmë fëmijët!!

Strucat e kabinetit qevitar, këshilltarët, ministrat por edhe bashkëpartiakët e Hotit dhe të mitë heshtin, sepse atyre nuk ua ka permendur emrin xhelatja Kusari-Lila dhe se nuk do ti hajë.