Mustafa heq dorë nga postimet banale në Facebook

E publikuar: 29/08/2015 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një njoftim për media ku theksohet gatishmëria e Kryeministrit Mustafa për debat rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Kështu ekzekutivi i është përgjigjur një ftese të kreut të VV’së Visar Ymerit, i cili i ka bërë thirrje Mustafës për përballje rreth marrëveshje të fundit të arritura në Bruksel.
Por, Qeveria thekson se debati duhet të zhvillohet brenda institucioneve.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e Qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, rishpreh gatishmërinë e plotë për të zhvilluar debat shterues dhe me argumente, brenda institucioneve të Kosovës, lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, më datë 25 gusht 2015.

Ashtu siç ka deklaruar në vazhdimësi, para dhe pas arritjes së marrëveshjeve të fundit, kryeministri Isa Mustafa është plotësisht i hapur që në seancën e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës të prezantojë çdo detaj të marrëveshjeve të arritura, dhe që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës, deputetët e opozitës dhe të pozitës, të debatojnë dhe të kërkojnë sqarime lidhur me çdo aspekt të marrëveshjeve në fjalë, duke përfshirë edhe marrëveshjen për asociacionin.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për transparencë në çdo veprim të saj, e veçmas lidhur me vendime madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës inkurajon të gjithë faktorët politik dhe opinionbërësit në vend, që të jenë pjesë aktive e debateve të moderuara dhe me argumente, duke mos i krijuar hapësirë gjuhës dhe veprimeve ofenduese dhe kërcënuese ndaj personaliteteve publike, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ato do të fuqizojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Me këto marrëveshje, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe Kosovës i është hapur perspektivë e fuqishme integruese në strukturat euroatlantike, në organizatat ndërkombëtare dhe në Kombet e Bashkuara.