Mustafa: Haradinaj bëri mirë që iu përgjigj ftesës së Presidentes

E publikuar: 10/02/2016 19:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa konsideron se pjesëmarrja e kreut të AAK’së, Ramush Haradinaj në takimin me Presidenten Jahjaga, tregon pjekuri nga ana e tij.
Mirëpo, sipas Mustafës dialogu i drejtpërdrejtë duhet të bëhet në Kuvend, andaj Kryeministri ka ftuar opozitën ta pranojë këtë iniciativë.

Ky është postimi i Mustafës në facebook:

Miq të nderuar,
Dialogu, në fjalorin e shqipes së sotme shpjegohet si bashkëbisedim; rrahje e një çështjeje nga dy a më shumë veta duke biseduar drejtpërdrejt.
Shtrohet pyetja, pse duhet të ftohen qytetarët të protestojnë në Kryeqytetin tonë, pse duhet të hedhet gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës e sprej helmues nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit; pse duhet të digjen ndërtesat e Qeverisë e të hedhen shishe të ndezura me benzinë në policët e Kosovës, e mos të bashkëbisedohet për temat, të cilat shfrytëzohen si pretekst apo kauzë për këto veprime.
Në qoftë se, vërtet partitë opozitare e kanë sikletin te dy marrëveshjet, atëherë duhet të bashkëbisedojnë për to. Mungesa e vullnetit për të bashkëbiseduar nuk u jep të drejtë të ushtrojnë veprime të dhunshme.
Ishte një gjest i mirë i liderit të AAK-së, i cili iu përgjigj ftesës së Presidentes për të marrë pjesë në një tryezë të përbashkët, pozitë- opozitë. E vlerësoj këtë pjekuri politike për vendin, nga një luftëtar, pa marrë parasysh se çfarë kanë qenë qëndrimet e z. Haradinaj, çfarë ka prezantuar dhe çfarë nuk ka prezantuar. Fundja, ishte bashkëbisedim.
Si Kryeministër i vendit kam bërë ftesë serioze që të bashkëbisedojmë por, po ashtu, kam shprehur gatishmërinë që në këtë cilësi, por edhe në cilësinë e kryetarit të LDK-së të bisedojmë drejtpërdrejtë, para së gjithash në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Bashkëbisedimi është kulturë e jona familjare e shoqërore, sepse ashtu gjejmë zgjidhjet dhe i argumentojmë ato. Ultimatumet nuk janë zgjidhje demokratike. Ultimatume japin vetëm ata që përcaktohen për forcë e dhunë. Pasqyrat e pasojave nga sjelljet e tilla sot i shohim në kryelajmet botërore. Kosova ka nevojë për kryelajm, por ky kryelajm duhet të ishte sinergjia jonë për ta ndërtuar këtë vend. Jo, konflikti dhe përçarja! IM