Mustafa: Gjendjen e vështirë në veri të vendit e kemi trashëguar nga UNMIK-u

E publikuar: 29/09/2016 16:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se gjendja në veri të Kosovës është përmirësuar dukshëm viteve të fundit.

Kjo sipas tij, ka ndodhur për shkak të bisedimeve që po bëhen mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel. Ai në interpelancën e ftuar nga deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, ka thënë se gjendja e vështirë në veri të vendit është trashëguar nga UNMIK-u.

“Gjendjen e vështirë në veri të vendit e kemi trashëguar nga UNMIK-u. Kemi vendosur sovranitetin në territorin e Kosovës. Kemi kufij me Serbinë, policinë e Kosovës e kemi atje dhe po punohet në rivitalizimin e urës së Ibrit që lidh dy pjesët e Mitrovicës. Edhe kompanitë në veri janë regjistruar dhe fiskalizuar. Gjendja e sigurisë atje është përmirësuar bindshëm. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat përkatëse. Kemi marrë masa edhe për zhvillimin ekonomik, duke themeluar një fond që të ndihmohet zhvillimi ekonomik i Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Zveçanit”, ka thënë Mustafa.

“Përmirësimet janë rezultat i drejtpërdrejtë i bisedimeve në Bruksel”, ka shtuar ai duke përmendur se “dialogu po ndihmon në konsolidimin e shtetit duke krijuar marrëdhënie të normalizuara me Serbinë”.

Ai ka thënë se problem i madh për vonesa të implementimit të marrëveshjeve që po arrihen mes Kosovës e Serbisë është moszbatimi i tyre nga Serbia.

“Problem kyç mbetet moszbatimi i marrëveshjeve nga Serbia. Mbetet problem kyç sepse ne po merremi për kohë të gjatë që t’i arrijmë ato dhe më pas po duhet kohë e gjatë që të ulemi dhe të vendosim për implementimin e tyre”, ka thënë Mustafa.