Mustafa e Veseli mbajnë peng riformatizimin e Qeverisë

E publikuar: 01/10/2016 14:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Isa Mustafa e Kadri Veseli ende nuk kanë realizuar premtimin se do të ketë ndryshime dhe zvogëlim të ministrave në Qeverinë e Kosovës. Zyrtarët e PDK’së dhe LDK’së kanë thënë se duhet të ndodhin ndryshime në Ekzekutiv. Mirëpo, Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu thotë se ende s’ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

PDK e Kadri Veselit e LDK e Isa Mustafës ende nuk e kanë realizuar premtimin publik të tyre dhe kërkesën e amerikanëve për rifotmatizimin e Qeverisë. Kështu, Ekzekutivi po vazhdon të ketë numër të madh te ministrive dhe Isa Mustafa dhe Kadri Veseli kishin premtuar se do të ketë ndryshime në Qeverinë e Kosovës. Madje, kishin paralajmëruar edhe zvogëlimin e kabinetit qeveritar, i cili ka 18 ministri e gati 100 Zëvendësministra e këshilltarë.

Në një takim që zhvilloi gjatë këtij muaji Kryeparlamentari Veseli dhe Ambasadori Delawie kanë biseduar edhe për nevojën e riformatimit të Kabinetit qeveritar, që sipas tyre duhet të ndodhte pas konsultimeve dhe pajtimit mes partnerëve të Koalicionit qeveritar.

Por, Këshilltari i Kryeministrit, Faton Abdullahu ka shprehur për Gazetën Express se akoma nuk ka një vendim se kur dhe si do të formatizohet qeveria.

Zyrtarët e  PDK’së kanë thënë se ndryshimet në Qeveri duhet të ndodhin sa më shpejt.

Mirëpo, askush në PDK e LDK s’kanë përmendur emrat e Ministrave që duhet të largohen nga Qeveria. S’i kanë përmendur as emrat e rinj që do të bëhen pjesë e Ekzekutivit.

Sidoqoftë, burime nga Qeveria kanë bërë të ditur për Gazetën Express se formatizimi i qeverisë pritet të ndodhë pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. E megjithatë edhe Demarkacioni duket se nuk është në rend ditë për arsyen se edhe pse ka pasur paralajmërime për arritjen e një konsensusi asnjë nga palët nuk ka ndryshuar qëndrimin e mëparshëm.

Aktualisht, Ministria e Integrimeve dhe ajo e Ambientit janë pa Ministra, pasi Bekim Çollaku ka shkuar në Presidencë e Ferid Agani po ballafaqohet me akuza për kohën sa ishte në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në këtë situatë, Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi ka ironizuar me numrin e madh të zyrtarëve të Qeverisë, duke thënë se Ekzekutivi kosovar është më i madh se ai i Kinës