Mustafa: Besoj se Specialja do të duhej të shqyrtonte edhe vrasjet e anëtarëve të LDK’së

E publikuar: 09/01/2021 10:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se vrasjet ndaj zyrtarëve të kësaj partie duhet të shqyrtohen nga Gjykata Speciale.

Mustafa ka thënë se kjo gjykatë nuk është themeluar me kërkesë të LDK-së.

“Unë mund të them që Gjykata Speciale nuk është themeluar as me kërkesën e LDK-së as me iniciativën e LDK-së. Shkak për themelimin e gjykatës ka qenë një raport që Këshilli i Evropës ka provuar atëherë dhe ajo është bërë si bazament themi i kërkesës për themelimin e gjykatës. Gjykata e ka një periudhë kohore gjatë të cilës ai do të trajtojë të gjitha krimet që janë bërë dhe unë besoj që në atë periudhë kohore do të duhet të shqyrtoheshin edhe vrasjet e zyrtarëve, anëtarëve të LDK-së dhe duhet të shqyrtohen të gjitha vrasjet e tjera sepse nuk mund të themi se disa vrasje janë të rëndësishme e disa të parëndësishme sepse vetë gjykata e ka rolin që në një formë të iu kthehet ose t’ia kthejmë borxhin që kemi ne ndaj viktimave që kanë rënë si objekt i sulmeve që kanë ndodhur në atë periudhë”, ka thënë Mustafa.

Në këtë intervistë, Mustafa ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke e të mos ketë prekje të kufijve.

“Nuk kemi fare nevojë të ulemi dhe të bisedojmë për gjëra të tjera. Ne kemi dialoguar mjaft shumë deri më tani për çështje të veçanta dhe është parë se ato nuk po përfundojnë dhe ne do ta përmbyllim këtë proces. Ne do të vazhdojmë si shtet i pavarur do të bashkëpunojmë me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, edhe me ato që na kanë njohur, edhe me ato që nuk na kanë njohur, sepse duhet t’i bindim që ato një ditë do ta njohin Kosovën. Do të ishte shumë mirë ta përfundojmë këtë proces dhe të bëhemi anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të mos kemi pengesa në komunikime ndërkombëtare, por edhe pengesa të brendshme kështu siç po na bëhen sot përmes këtyre komunave që janë në veri të vendit”, është shprehur Mustafa.

Gjykata Speciale ka kryer arrestimet e para të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në aktakuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi përmenden edhe vrasjet e aktivistëve të LDK-së./EO