Musliu për “Drenica I e II”: Kjo gjithçka mund të jetë, pos drejtësi

E publikuar: 27/10/2016 07:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, gjatë mbledhjes së Komisionit për Siguri, me ç’rast janë përshëndetur me deputetin dhe kryetarin e këtij komisioni, Fadil Demaku, ka shpërthyer në lot.

Ky i fundit është shpallur fajtor për krime lufte, e kjo për deputeten Musliu është e padrejtë.

“Ndaj Fadil Demakut dhe familjes së tij është duke u ushtruar një e padrejtë. Lotët sot nuk ishin vetëm të mitë por të gjithë kolegëve. Fadil Demaku do ta kaloj këtë sfide me dinjitet dhe krenari, por është një moment kur te kujtohet nëna apo baba i tij që kanë rrite gjashtë fëmijë, e sot janë të vetëm pa asnjë fëmije në shtëpi. Normalisht çdokush do të duhej të prekej nga ky rast” ka thënë Musliu gjate një interviste në Ballë Për Ballë në Klan Kosova.

 Për me tepër Musliu ka treguar për familjarët e Fadil Demakut, përderisa ka vënë në dyshim, dëshminë e dëshmitarit që çoi drejt shpalljes fajtor të Demakut.

“Fadilit i ka rënë dëshmor vëllai, i është vrarë motra me fëmijë, i është vrarë axha dhe dy djem të axhës, janë plagos dy nga vëllezërit e tij, e sot ai dënohet nga një dëshmitar i vetëm. Ndërsa me e keqja është që familjarët e këtij dëshmitari kanë ofruar dëshmi se ai është i sëmurë me skizofreni akute. Dënimi që është shqiptuar është i padrejte dhe i papranueshëm, dhe realisht pres nga përgjegjësit që të dalin dhe të tregojnë kush ka këshilluar drejt këtyre vendimeve. Besimi krijohet mbi bazën e veprimeve, dhe veprimi për rastin “Drenica II” është tregues shumë i mirë se çfarë është duke ndodhur. Kjo gjithçka mund të jetë vetëm drejtësi nuk mund të jetë ” ka thënë Ganimete Musliu.

Sa i përket seancës së jashtëzakonshme që do të mbahet nesër, Musliu vlerësoi që kurrë nuk është vonë për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së .

“Nesër do të ketë debat në seancë, do të flasim pikërisht për vlerat e luftës dhe të UÇK-së. Besoj që pas debatit do të dale një rezolutë. Unë konsideroj që asnjëherë nuk është vonë. Realisht vlerat e luftës nuk ka nevojë të mbrohen, nesër ndoshta është një momentum që të thuhen edhe njëherë me zë të lartë” deklaroi Musliu.

 Ndërsa për fund deputetja Musliu deklaroi që PDK është gjithmonë e gatshme për zgjedhje.

“Zgjedhje do të ketë atëherë kur të ketë nevojë. PDK-ja asnjëherë nuk i ka problem zgjedhjet, nuk i ka problem as në këtë fazë” përfundoi Ganimete Musliu.