Mushkolaj: Veprimet e deputetëve kundër vendimeve të partisë, kontrabandë e njerëzve

E publikuar: 21/07/2017 22:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjatë ditës së sotme, deputetja e LDK-së Teuta Rugova, u takuar me kandidatin për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, e cila i ka dhënë mbështetje.

Ajo ka thënë se është keqkuptuar se ajo do i japë votën e saj koalicionit PAN, por, sipas saj, i ka bërë thirrje LDK-së që të veprojë siç do të vepronte babai i saj i ndjerë Ibrahim Rugova, përkatësisht që të mos bllokohet procesi i formimit të Qeverisë.

Në anën tjetër nga koalicioni PAN, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj kishte paralajmëruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se synohen marrëveshje me disa deputetë dhe jo me parti politike jashtë koalicionit PAN.

Andaj, pretendimet e Haradinajt që t’i sigurojë mbi 61 vota për formimin e Qeverisë, nuk kanë të bëjnë vetëm me Teuta Rugovën, por edhe deputetë të tjerë.

Analisti Imer Mushkolaj, tha për Radion Evropa e Lirë se veprimet e tilla duhet të quhen me emrin ‘kontrabandë e njerëzve’.

“Mund të tingëllojë vrazhdë, mirëpo nuk ka se ka shprehje tjetër më të përshtatshme. Të paktën kështu mendoj unë, duke pas parasysh se edhe po që se këta deputetë nuk kontrabandohen në subjektin tjetër politik apo kampin tjetër politik”, tha Mushkolaj.

Sipas tij, nëse deputetët do të merrnin vendime jashtë qëndrimeve të proklamuara të subjekteve të tyre, atëherë kjo do të mund të interpretohej edhe si keqpërdorim i vullnetit të votuesve.

Kalimet nga një subjekt politik në tjetrin, në këtë kohë, sipas analistit Mushkolajt, mund të ndikojnë negativisht edhe në përbërjen e Qeverisë.

“Besoj që edhe ata deputetë të cilët mund ta kenë ndarë mendjen për t’ju bashkuar PAN-it apo mendojnë ta bëjnë një gjë të tillë, duhet ta mendojnë mirë ketë veprim të tyre për shkak se është përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe”, u shpreh Mushkolaj.