Muriqi në mesin e pesë lojtarëve më të shtrenjtë të Superligës së Turqisë

E publikuar: 12/05/2020 22:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vedat Muriqi është një ndër lojtarët më të vlefshëm të kampionatit të futbollit të Turqisë.

Sulmuesi prizrenas ka pasur një gjysmë sezon të mrekullueshëm në Superligën turke me Fenerbahçen, ku deri më tank ka realizuar 15 gola dhe ka bërë pesë asistime për bashkëlojtarët.

Kjo ka bërë që t’i rritet edhe vlera e futbollistit 26-vjeçar në tregun e transferimeve duke kapur shifrat e 9.5 milionë eurove.

Kështu së paku e ka vlerësuar ueb-faqja e specializuar për shit-blerjen e lojtarëve, Transfermarkt, ku bazohen edhe shumë klube në ofertat e bëra për lojtarët.

Ueb-faqja futbollistike turke, Footomac, ka renditur pesë lojtarët më të shtrenjtë të ligës së tyre kryesore, ku reprezentuesi ynë renditet në pozitën e pestë.

Para tij renditen, Edin Visca i Basaksehirit dhe Lemina i Galatasarayt (secili 10.5 mln euro), Abdulkadir Omur i Trabzonsporit (12.5 mln euro) gjersa më i vlefshmi është sulmuesi norvegjez, Alexander Sorloth i Trabzonsporit (13 milionë euro).

Ndryshe, Fenerbahçe kërkon 25 milionë euro nga klubet e interesuara për shërbimet e shtatgjatit të përfaqësueses së Kosovës.