Muriqi: Besojmë në ëndrrën e Evropianit, ndeshja ndaj Çekisë më shumë se finale

E publikuar: 14/10/2019 23:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, i cili shënoi golin e dytë në ndeshjen e sotme ndaj Malit të Zi, ka shprehur bindjen se ëndrra për të marrë pjesë në kampionatin evropian është afër të ndodhë.

“Jemi shumë të lumtur për fitoren e sotme, dhe ishte shumë me rëndësi që nuk pranuam gol”, ka thënë Muriqi.

“Ne si shtet, si kombëtare vazhdojmë të ëndërrojmë, pse jo. T’i fitojmë edhe këto dy ndeshje që na kanë mbetur dhe të shkojmë në Evropian”, ka thënë Muriqi.

Kosova luan kundër Çekisë në udhëtim dhe e pret Anglinë në Prishtinë, në dy ndeshjet e fundit të kampanjës, që zhvillohen në nëntor.

Muriqi ka pranuar se ndaj Malit të Zi kanë mundur të shënojnë më shumë, e ka thënë se nuk do të munden që të shpërdorojnë raste të tilla në dy ndeshjet e radhës.

“Unë pata 4 raste të 100 për qindta. Nuk është se nuk i shënuam për mungesë qetësia apo koordinimi, por mendoj se na duhet fati pak më shumë”, ka thënë Muriqi. “Nuk ka rëndësi kush shënon, se jemi ekip”, ka thënë ai.

“Kundër Çekisë dhe Anglisë nuk guxojmë të humbim këso raste. Sot e kemi arritur fitoren me Malin e Zi, që mund të them se ishte një finale. Por ndeshja ndaj Çekisë është pak t’i them finale, është finale e finales. Unë e kam besimin dhe pse mos ta bëjmë ëndrrën realitete”, ka thënë ai.