Murati: Tani ka më shumë kërkesa nga LDK

E publikuar: 06/12/2019 12:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në debatin rreth koalicionit me LDK’në është përfshi Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, ai ka thënë se ka më shumë kërkesa tani kur kanë dalë të dytët në zgjedhje Lidhja Demokratike e Kosovës, se kur ishin në garë për vend të parë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Murati, e sheh ndryshe vullnetin e mirë, ndërsa vullnetin e LDK’së për koalicion sipas tij ky nuk është i mirë.

Postimi i Muratit:

Oferta e Fituesit për të harmonizuar programin me partnerin qeverisës si dhe për të ndarë përgjegjësinë e qeverisjes përgjysmë, është ofertë tejet gjeneroze. Kjo në vetvete tregon për vullnetin e fituesit që, të arrihet një marrëveshje e cila respekton partnerin dhe siguron mirëbesim në qeverisje.

Për sa i përket vullnetit të palës tjetër, mjafton të shihet kronologjia e pozicionit të tyre.

Para zgjedhjeve, kur mendonin se do dilnin të parët, thanë se posti i Kryeministrit do duhej t’i takonte Fituesit. Pas zgjedhjeve, ka gati dy muaj që nëpër studio televizive flasin për ‘koeficiente’ e për ‘pesha’ të posteve.

Para zgjedhjeve, kur mendonin se do dilnin të parët, thanë se posti i Presidentit nuk duhet të jetë pjesë e diskutimeve për formimin e qeverisë, sepse kandidati do duhej të ishte konsensual. Pas zgjedhjeve, nga vendi i dytë, thonë se posti i Presidentit “u takon”, dhe nuk bën ndryshe.

Para zgjedhjeve, kur u ofruam që përgjegjësitë të ndahen në dy blloqe të barabarta, ku njëri bllok kishte postin e Kryeministrit me gjysmën e ministrive, dhe blloku tjetër kryeparlamentarin me gjysmën e ministrive dhe u thamë të zgjidhnin, thanë se ‘nuk mund të bëhet ndarja kësisoj sepse nuk jemi të barabartë’, sepse atëherë mendonin se do dilnin të parët.

Thënë shkurt, tani kur JANË të dytët, kanë kërkesa më të mëdha sesa atëherë kur MENDONIN se do dilnin të parët.

Ky nuk është vullnet i mirë. Vullneti i mirë duket ndryshe.