Murati: Pa rezistencën shqiptare nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s

E publikuar: 12/06/2019 14:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetar i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në 20 vjetorin e ndërhyrjen së NATO-s, ka thënë se nuk ka dyshim që kjo ndërhyrjen ishte shumë e rëndësishme për Kosovën, por, thotë se pa rezistencën shqiptare dhe luftën e UÇK-së nuk do të kishte ndërhyrje.

Murati në një postim në Facebook, ka thënë se pa përpjekjet tona të vazhdueshme, pa luftën tonë, pa dëshmorët e luftës së fundit dhe të të gjithë brezave,” nuk do të krijoheshin rrethanat që kjo rezistencë të përputhej edhe me interesat ndërkombëtare dhe të kishim një ndërhyrje ndërkombëtare e cila, përfundimisht, do të na lidhte në aleancë me shtetet kryesore të NATO-s, të prira nga SHBA-të”, ka shkruar Murati, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë:

Pa rezistencën shqiptare dhe luftën e UÇK-së nuk do të kishte ndërhyrje të NATO-s

Sot po festojmë 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, edhe duke iu falënderuar të gjithë aleatëve tanë që na ndihmuan që kjo ditë të vijë. Nuk ka dyshim se ndihma e tyre, ndërhyrja e NATO-s ishte e rëndësishme si akt i çlirimit të Kosovës. Por, të gjithë duhet që jo vetëm të jemi të vetëdijshëm por edhe krenar e ta transmetojmë nga brezi në brez se faktori më meritor për lirinë e Kosovës është rezistenca shekullore e popullit shqiptar që kulmoi me luftën e armatosur çlirimtare të UÇK-së.

Pa përpjekjet tona të vazhdueshme, pa luftën tonë, pa dëshmorët e luftës së fundit dhe të të gjithë brezave, nuk do të krijoheshin rrethanat që kjo rezistencë të përputhej edhe me interesat ndërkombëtare dhe të kishim një ndërhyrje ndërkombëtare e cila, përfundimisht, do të na lidhte në aleancë me shtetet kryesore të NATO-s, të prira nga SHBA-të.

Ne këtë aleancë duhet të dimë ta ruajmë dhe ta kultivojmë, por gjithashtu duhet ta ruajmë dhe kultivojmë edhe krenarinë e ligjshme për rezistencën dhe luftën tonë çlirimtare. Sepse nëse këtë të fundit e injorojmë, ne futemi në ciklin e pritjeve të vazhdueshme nga aleatët duke e amnistuar përgjegjësinë tonë që Kosovën ta bëjmë një vend dinjitoz.