Murati i VV-së: Fondet e MCC’ve ka pasur tendenca për keqpërdorim

E publikuar: 21/05/2020 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka bërë një akuzë të rëndë, duke deklaruar se ka pasur tendenca të keqpërdoren paratë e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation – MCC), në fondin prej 50 milionë dollarësh.

MCC është agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partneriteti i Kosovës me të është themeluar në dhjetor të vitit 2015.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bllokuar fondet për Kosovën, në mars të këtij viti, pas këmbënguljes së Kryeministrit Albin Kurtit për të mos e hequr taksën 100 % ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Drejtori i MCC, Sean Cairncross, i caktuar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, siç kanë raportuar mediat, në një bisedë telefonike me Kurtin i kishte thënë atij se do të bllokohen 50 milionë eurot e MCC, ashtu sikurse do të bllokohet edhe projekti i gazit, ku ishte paraparë që të investohen rreth 150 milionë euro tjera.

Por, Hekuran Murati, duke folur në Rubikon të Klan Kosovës, këtë të martë, ka thënë se ka dilema lidhur me punën në projektin prej 50 milionë dollarëve, për të cilën ai është shprehur se ka pasur ngecje për shkak të insistimeve që të shtyhet përpara një keqpërdorim.

“Tash, te kjo puna e 50 milionëshit, edhe aty ka dilema se si është bërë. Është një program për renovimin e shtëpive të familjeve të varfra, i cili ka pasur tendenca të keqpërdoret prej personave që janë përgjegjëse aty”, ka thënë Murati.

I pyetur nëse fondet janë pezulluar për shkak të tendencës për keqpërdorim, Deputeti i Vetëvendosjes ka pohuar se “ka pasur edhe tendenca të tilla”.

Ai ka përmendur disa raporte të konsulentëve, që, sipas tij, tregojnë për një gjë të tillë.

“Kanë dashur ta dizajnojnë procesin të atillë që t’ia japin monopolin një kompanie, dhe ajo kompani vetë ta bëjë vlerësimin, vetë investimin, vetë miratimin”, është shprehur ai, shkruan Reporteri.

Murati ka insistuar se Kosova nuk i ka humbur 200 milionë fonde nga MCC.

“Nuk janë humbur 200 milionë. Ato nuk kanë qenë të miratuara, 150 milionë. Për këto 50 milionë, ju tregova. Ka pasur ngecje për shkak se ka pasur insistime të shtyhet para një keqpërdorim”, ka thënë ai.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), më 13 mars të këtij viti, me një deklaratë për opinionin pat konfirmuar pezullimin e programeve të zhvillimit ekonomik në Kosovë, shkruan Reporteri.

“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara lidhur me tarifat e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë. Heqja e këtyre tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në uljen e varfërisë përmes rritjes ekonomike. Derisa të zgjidhet çështja e tarifave të Kosovës, MCC do të pezullojë programet e saja në Kosovë”, thuhej në këtë deklaratë.

Një nga programet e pezulluara nga MCC është edhe ai në vlerë prej rreth 50 milionë dollarësh amerikanë. Ky program ishte i fokusuar në reformat e dy fushave më kritike të identifikuara si pengesa për zhvillim në Kosovë: mungesa e qëndrueshmërisë së energjisë elektrike, si dhe dobësitë dhe mangësitë reale në sundimin e ligjit.

Investimet MCC-së promovojnë rritje ekonomike si dhe ndihmojnë njerëzit të dalin nga varfëria, duke krijuar shtete më stabile, më të sigurta, me mundësi të reja për biznese.