Munishi: Granit Xhaka është në nivel me Toni Kroosin

E publikuar: 23/06/2018 08:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në RTV Dukagjini sonte (e premte) po diskutohet për ndeshjet e sotme të Kampionatit Botëror.

Tema kryesore është e drejtuar kah ndeshja Zvicër-Serbi, nga e cila fituese doli Zvicra me dy golat e mrekullueshëm të shqiptarëve Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.

Te ky i fundit, trajneri i njohur kosovar, Ismet Munishi, ka dhënë komentin e tij duke e krahasuar Xhakën me lojtarin e famshëm të Real Madridit, Toni Kroos.

“Ka fituar atje në Zvicër sepse ambienti është më i mirë, ndërsa këtu është më konfuz. Ky do të bëhet një lojtar i madh, ky mund të luajë në Real Madrid me kualitet që i ka, me forcën që e ka, me karakterin që e ka, me atë çfarë ka treguar, me Toni Kroosin është i barabartë”, ka thënë Munishi gjatë emisionit.

(Getty Images)

Tutje, ai tregon edhe për bashkëbisedimin që kishte pasur me Granitin, duke treguar edhe këshillat që ia kishte dhënë.

“I pata thënë Granitit, sepse nuk e kishte një sezon të mirë në Arsenal, jo sezon të mirë, por kaloi nga një kampionat gjerman në një kampionat anglez, dhe i duhej kohë të ambientohej, edhe po bisedonim gjatë kohës që bënte stërvitje, në pauzë bisedonim. I thosha: Ti je lojtar fantastik por duhet të kesh vetëbesim, dhe është tempo tjetër sepse në Gjermani luhet më avash. Ti duhet të përshtaten në këtë tempo edhe je më i mirë se Toni Kroosi”.

“Krejt njerëzit kënaqen kur i lëvdojnë. Më pyeti: Pse trajner më i mirë, dhe mu desh t’ia shpjegoja: Është më i fortë në duel, është më i fortë në kërcim në ajër, goditjen e ka më të mirë se Toni Kroosi”, ka thënë ndër të tjerash Munishi. /Telegrafi/