Mungesa e stabilitetit politik, pengesë për investimet e huaja

E publikuar: 18/08/2017 08:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vonesat në konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë po vlerësohen nga ekspertët e ekonomisë si të dëmshme për investimet e huaja direkte, trendi i së cilave në masë të madhe përcaktohet nga stabiliteti politik i vendit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas profesorit universitar Naim Gashi, praktika e krizës politike e vitit 2014 dëshmon se vonesat në krijimin e institucioneve janë të dëmshme për ecuritë makroekonomike, e në veçanti janë dekurajuese për investitorët e jashtëm.

Gjatë vitit 2014, sipas Raportit Vjetor të Bankës Qendrore, investimet e huaja direkte kishin rënë për 46 për qind, për dallim prej vitit paraprak. Një gjë e tillë, sipas Gashit, ka mundësi të ndodhë edhe tani, në rast të zvarritjes së mëtejshme të krijimit të institucioneve.

“Stabiliteti politik dhe institucional i një vendi është faktori gati esencial për të nxitur investitorët për të investuar në një vend të caktuar. Me gjendjen e tanishme ne po dërgojmë sinjale negative te investitorët e jashtëm dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Në këtë mënyrë parashikoj se do të kemi rënie të investimeve të jashtme direkte dhe vonesa në zbatimin e projekteve të mëdha kapitale”, ka deklaruar ai.