Mund të pranoheni në shtëpi të pleqve nëse s’keni fëmijë e jeni pa përkujdesje

E publikuar: 03/11/2018 17:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë më shumë se 100 të moshuar në Kosovë, që janë pa përkujdesje familjare e larg shtëpive të tyre. Tash e një kohë, ata banojnë në shtëpitë e të moshuarve që gjenden nëpër komuna të ndryshme të vendit. Më së shumti ka në Prishtinë. Por, nuk është i vogël as numri i atyre në Skenderaj e Gurakoc. Në këto institucione ofrohen shërbime 24 orë, ku përfshihen ushqimi, veshmbathja, terapia e punës dhe shërbimi social. Ndërsa, rregullat për tu pranuar në këto qendra janë të thjeshta, shkruan Gazeta Express.
Taibe Vitia, ka 11 vjet që jeton në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë. Ajo kishte zgjedhur të jetonte bashkë me burrrin në këtë shtëpi. Por, tash e një kohë ajo ka mbetur e vetme. Gjithë kjo pasi që bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë para tri viteve.

Jetë të njejtë si Taibia, bën edhe Raza Fana. Por, për dallim nga ajo, Raza nuk ka asnjë familjar. Asaj i mbushen sytë me lot kur e kujton se është e vetme.

Bashkë më këto në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë jetojnë edhe mbi 60 të moshuar të tjerë, numër ky që për tërë komunat e vendin arrinë në 106 të moshuar.

Gjithë kjo sipas raportit “Statistikat e Mirëqenies Sociale, që ka publikuar muaj më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në bazë të këtij raporti, numri i personave të moshuar dhe pa përkujdesje familjare sipas nacionalitetit të vendosur në SHPMPF në Prishtinë është 62, në shtëpinë e komunitetit në Skenderaj është 20, në Gurakoc 17, dhe në shtëpinë e komunitetit në Graçanicë janë shtatë të moshuar.

Në këto institucione ofrohen shërbime 24 orëshe ku përfshihen ushqimi, veshmbathja, terapia e punës, shërbimi social, etj. Ndërsa, rregullat për tu pranuar në Shtëpinë e Personave të Moshuar janë të thjeshta.

Në fillim duhet marrë një udhëzim të lëshuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku thuhet se banori duhet të jetë shtetas i përhershëm i Kosovës, duhet të jetë mbi 65 vjeç dhe të jetë person pa përkujdesje familjare. Po ashtu nuk duhet të ketë fëmijë biologjik.

Ai person duhet të ketë një dëshmi të psikiatrit që nuk ka çrregullime të theksuara mendore, po ashtu edhe certifikatë nga ana e mjekut infektolog specialist që s’ka sëmundje infektive.

Vendosja e tyre bëhet nga Qendra për Punë Sociale, të cilat ndodhen nga të gjitha qendrat e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Shtëpia e Pleqve në Prishtinë për herë të parë është hapur në vitin 1963. Sapo u bë hapja, aty zuri vend menjëherë banori i parë. E të tjerët priteshin sapo të përmirësohej moti. Ahmet Nishliu, i cili në fillim vit do të i mbushte 81 vjet ishte banori i parë.

Siç kishte thënë në intervistën për Rilindjen, drejtori i atëhershëm, Bajram Sylejmani, pleqtë do të paguanin vetëm një pjesë të shpenzimeve kurse pjesën tjetër këshillat popullore të komunave.