Mullisët e mirëpresin taksën ndaj Serbisë, synojnë rritjen e cilësisë së miellit

E publikuar: 08/01/2019 12:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me përfaqësues të Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i saj Bashkim Zejnullahu, me të cilët bisedoi për situatën e fundit në këtë sektor pas taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës e Hercegovinës.

Në takim, sipas qeverisë, Haradinaj u njoftua për punën dhe sfidat pas vendosjes së taksat si dhe për hapat e ndërmarrë nga mullisët për rritjen e cilësisë së miellit.

“Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës do të jetë përkrahëse e të gjithë prodhuesve vendorë përmes stimulimit dhe masave lehtësuese, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të bizneseve që merren më këtë veprimtari, masa këto që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në njoftim të qeverisë.

Sipas njoftimit, “Zejnullahu ka thënë se vendimi për vendosjen e masës 100 për qind për miellin nga Serbia është i mirëseardhur, duke vlerësuar se kjo masë në planin afatgjatë do të ndikojë pozitivisht tek kultivuesit dhe prodhuesit vendorë”.

Të pranishëm në takim ishin edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Gashi dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci.