Muhaxhiri: Kandidatët për kryetarë komunash varen nga dy aspekte

E publikuar: 22/08/2017 18:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, ka analizuar dy aspekte nga të cilat varet sukesi i kandidatëve të posa shpallur për kryetarë komunash, njofton Klan Kosova.

Muhaxhiri po ashtu u ankua për faktin që partitë zakonisht i shpallin kandidatët e tyre për kryetarë komunash shumë vonë, duke mos ua dhënë mundësinë që t’i shpalosin në tërësi idetë e tyre.

“Prishtina është gjithmonë boshti i debateve dhe betejave kryesore, prandaj edhe kësaj radhe mendoj se është dashur të jetë pak më ndryshe sepse ajo që më pengon vazhdimisht është fakti që i lënë kandidaturat në momentin e fundit”, tha Muhaxhiri duke veçuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke shtuar se kandidatët duhet pasur kohën dhe mundësinë për shpalosjen e programit të tyre.

“Pra ne e shohim, ta zëmë në Amerikë, ku kandidatët presidencialë kanë një vit apo më hsumë që t’i shpalosin idetë e tyre”.

Sipas tij, kjo përbën një logjikë tejet pozitive, sepse periudha e shkurtë e fushatës zgjedhore është një periudhë e karakterizuar me sulme dhe improvizim në oferta, dhe pothuajse asnjë kandidat nuk arrin që t’i shpalosë idetë.

Muhaxhiri tha se situata për kryetar të Prishtinës është më problematike, sepse varet prej dy aspekteve, ku njëri prej tyre është se sa këta kandidatë do të përkrahen nga strukturat e partive në të cilat përkasin.

“Kemi pasur raste me PDK-në ku ka pasur kandidat që nuk ka qenë i përkrahur nga strukturat dhe është sabotuar”, tha ai.

Sa i përket kandidaturës së Arban Abrashit nga LDK për kryetar të Prishtinës, Muhaxhiri tha se nuk e di nëse kandidatura e tij është e mirë, për arsye se Abrashi nuk ka lindur në Prishtinë, dhe dihet se me qytetin shpesh duhet të ekzistojë edhe lidhshmëria emocionale, por megjithatë e justifikon këtë duke thënë se Prishtina është bërë një lloj “Melting Pot” për Kosovën.

Për më tepër, Muhaxhiri thotë se një element tjetër që do të luajë rol në kandidaturën e Abrashit është se sa do të punojë ai në gjentjen e një oferte konkrete për qytetarët.

“Varet prej punës dhe mënyrës se si do ta sturktuorjë fushatën Abrashi”.

“Nëse zotëri Abrashi mbështetet në stilin e vjetër të retorikës, atëherë mendoj se Ahmeti do të fitojë edhe pa balotazh”.