Muharremaj apo Asllanaj?

E publikuar: 16/11/2017 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarët e Komunës së Suharekës në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës do të kenë mundësinë që të votojnë për kandidatin e AAK-së, Bali Muharremaj, ose atë të LDK-së, Sali Asllanaj. Këta 2 kandidatë garojnë në balotazhin e 19 nëntorit pasi që në raundin e parë të zgjedhjeve sipas rezultateve të KQZ-së, Bali Muharremaj i AAK-së ka marrë 11 mijë e 495 vota ose 39.92 për qind, kurse Sali Asllanaj ka marrë 9 mijë e 792 vota apo 34.01 për qind.

Kjo është përballja e dytë në balotazh për kandidatin e AAK-së dhe atë të LDK-së, pasi që në zgjedhjet për kryetar komune më 2013 në raundin e parë Asllanaj kishte marrë mbi 10 mijë vota dhe Muharremaj mbi 9 mijë vota, me ç’rast në raundin e dytë fitimtar 4 vjet më parë pati dalë Asllanaj i LDK-së.

Në prag të balotazhit të vitit 2017 as AAK-ja, e as LDK-ja nuk kanë lidhur ndonjë marrëveshje koalicioni me subjektet e tjera politike. Asllanaj ka pohuar se koalicioni i tij i vetëm është me qytetarët e kësaj komune, ndërkohë që Muharremaj ka pohuar se pret mbështetjen nga të gjithë qytetarët pa dallime partiake.

Kandidati i AAK-së ka akuzuar rivalin e tij politik se në 4 vjetët e kaluar ka qenë në gjumë, dhe se ka filluar të punojë vetëm në muajin e fundit. Sipas tij, “asnjë projekt nuk është bërë me projekt kryesor” dhe se çdo vit ka pasur suficit në buxhet. Nga ana tjetër, Asllanaj ka pohuar se në kohën e qeverisjes së AAK-së suficiti buxhetor ka qenë dy herë më i lartë sesa gjatë qeverisjes së LDK-së. Në të njëjtën kohë ka vlerësuar se subjekti rival nuk ka kuadro të mjaftueshme për qeverisje efikase, dhe se premtimet e rivalit të tij janë të bazuara në manipulime.

Mirëpo, Muharremaj ka konsideruar se ka ekip të mirë, ku ekspertët e degës së AAK-së mund të angazhohen jo vetëm në nivelin komunal, por edhe në Ekzekutivin qendror.

Muharremaj ka potencuar se programi i tij ka disa shtylla, ku në rend të parë vjen administrata efikase me shërbime transparente, pastaj arsimi cilësor dhe shkollat e sigurta, dhe në këtë plan ka premtuar edhe ndërtimin e 2 çerdheve publike në qytet dhe 2 çerdheve në fshatrat më të mëdha të komunës. Shtyllat e tjera të programit të tij janë shëndetësia dhe ofrimi i shërbimeve cilësore, që pasohet nga zhvillimi ekonomik, përmes finalizimit të dy zonave industriale.

Ndërkohë rivali i tij, Asllanaj ka pohuar se prioriteti kryesor i programit të tij qeverisës është zhvillimi ekonomik, me fuqizimin e mëtejmë të Zonës industriale dhe të Agrozonës, por edhe përmes shtrirjes rajonale përkatësisht me bashkëpunimin me komunat fqinje, teksa do të ketë edhe rritje të buxhetit të bujqësisë për 50 për qind, dhe investime në sistemin e ujitjes së tokave bujqësore. Është zotuar për përmirësimin e cilësisë në arsim, si dhe angazhimin e personelit mjekësor shtesë në shëndetësinë primare.