Muhamet Mufaku shkruante se shqiptarët kanë origjinë arabe, por ai është anëtar i ASHAK’ut

E publikuar: 01/09/2015 12:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Muhamet Mufaku, historiani me prejardhje nga Kosova, që jeton në Aman, tash e sa kohë është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Këtë status, ai e gëzon, pavarësisht se dikur bënte propagandë për “prejardhjen arabe të shqiptarëve”. Anëtar i jashtëm i ASHAK’ut është edhe Ismail Kadare, i cili në një nga librat e tij, akuzon Mufakun se i u gjend afër Serbisë, me tezat e tij, pikërisht në kohën kur sulmohej Kosova, më 1981.

Historiani me prejardhje nga Kosova, Muhamet Mufaku, që jeton në Lindjen e Mesme, tash e sa kohë është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dikur kishte shkruar për prejardhjen arabe të shqiptarëve. E çuditshme është se këtë këtë status, në këtë institucion, e gëzon edhe shkrimtari Ismail Kadare, i cili në një nga librat e tij të fundit tregon se Mufaku, më 1981, kishte bërë një tezë doktorate “ Zanafilla arabe e shqiptarëve”.

“Prishtinë. Tanke në rrugë. Në universitetin gjysmë të braktisur, ndërsa shokët copëtoheshin nga tanket, në një kthinë të heshtur, një student nga Peja vijonte të shkruante doktoraturën e vet: “Zanafilla arabe e shqiptarëve”. Është doktori i ardhshëm i ardhshëm Muhamed Mufaku. Ai që do t’i gjendej pranë Serbisë në orët e këqija të saj. Më pranë se tanket” shkruan ndër të tjera Kadare në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand”.

Mufaku, ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i ASHAK në vitin 2008 në sektorin e shkencave shoqërore.

Ndërkohë, në faqen e internetit të ASHAK, nuk ka të dhëna se në cilin vit është zgjedhur Kadare.

Kadare është njëri nga shkrimtarët më të njohur shqiptar dhe kandidat pothuajse permanent për Çmimin Nobel në Letërsi, ndërkohë që mbetet e paqartë se si akademikët tanë kanë përzgjedhur Mufakun anëtar të jashtëm të ASHAK dhe se a kanë qenë në dijeni për doktoratën e tij që flet për prejardhjen arabe të shqiptarët.