MTI-ja urdhëron largimin e lodrës “SLIME” nga tregu i Kosovës

E publikuar: 08/08/2018 15:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka urdhëruar largimin nga tregu i Kosovës të mbi 5 mijë lodrave për fëmijë, pasi që ka konstatuar se janë të rrezikshme për fëmijët. Në lodrat me mbishkrimin “Barrel-O-Slime”, sipas MTI-së është gjetur se është tejkaluar elementi kimik bori, i cili gjatë përdorimit nga fëmijët mund të shkaktojë dëmtim të përhershëm të sistemit të riprodhimit.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për sekuestrimin e lodrave për fëmijë që mbajnë mbishkrimin “Barrel-O-Slime”, që është një lloj plasteline.

Në vendimin e MTI-së, thuhet se sekuestrohen 5 mijë e 184 copë të kësaj lodre, të cilat janë importuar nga operatori ekonomik “Luca shpk” me seli në Skenderaj.

Sipas vendimit operatori ekonomik obligohet që brenda afatit prej 3 ditësh të bëjë tërheqjen e plotë nga tregu i brendshëm të të gjitha produkteve për fëmijë.
As ankesa e parashtruar kundër këtij vendimi sipas MTI-së nuk e ndalon ekzekutimin e tij.

“Me qëllim të verifikimit të komponentëve të sigurisë, inspektorati i Tregut me 10/04/2018 në procesverbalin e inspektimit, operatorit ekonomik “Luca” i ka ndaluar vendosjen në treg të produkteve lodra për fëmijë “Slime” me Mbishkrimin Burrel-O-Slime në sasi 5184 copa”, thuhet në vendim, raporton Insajderi.