MSA ulë të hyrat në doganë: Flasin ekspertë te ekonomisë

E publikuar: 02/09/2017 18:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ka ndikuar në uljen e taksave, ku nga janari deri në gusht të këtij vitit të hyrat janë  17.2 milion euro.

Të dhënat e fundit Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 12.6% në muajin korrik 2017. Eksporti i mallrave në muajin korrik 2017 kishte vlerën 38,3 milionë Euro, ndërsa importi 275,3 milionë Euro, që është një rritje prej 26.2% për eksport, si dhe prej 14.3% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në doganë për Indeksonline ka thënë se dogana në përpikëri e ka zbatuar MSA-në.

“Dogana qe nga dita e pare qe ka filluar kjo marrëveshje e ka zbatuar ne përpikëri. Tani jemi ne vitin e dyte te implementimit dhe nuk kemi pasur asnjë problem ne aplikimin e MSA, kjo si rezultat i përgatitjeve paraprake qe dogana ka bëre” ka thënë Stavileci për Indeksonline.

Njohësi i ekonomisë, Lulëzim Beqiri, për Indeksonline është shprehur se MSA ndonëse ulë të hyrat në buxhet, kjo hapësirë do të plotësohet me rritjen e eksportit dhe cilësisë.

“Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës , e ka bërë Republikën e Kosovës pjesë të një tregu mbi 500 milion konsumatorësh. Në kuadër të MSA-se, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) , deri në vitin 2020 do të investojë në Kosovë, mbi 600 milionë euro. Zbatimi i marrëveshjes se Stabilizim-Asocimit (MSA) do t’ia heq buxhetit të Kosovës mb 24 milionë euro vetëm me rastin e fillimit të zbatimit të MSA-së, ndërsa kjo humbje mund të rritet në vitet në vijim. MSA-ja parasheh që nga momenti kur të hyjë në fuqi, një pjesë të produkteve që nuk prodhohen në Kosovë t’iu hiqet taksa doganore dhe në 10 vjetët e ardhshme” ka thënë Beqiri.

Beqiri i ka përmendur edhe vështirësitë e kësaj marrëveshje në zbatim.

“Marrëveshja për Stabilizim Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës padyshim se do të ketë vështirësi sepse vendet e BE-së do të eksportojnë produkte shumë kualitative në tregun tonë dhe dihet cilësia e produkteve që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe i atyre vendore. Pra Kosova ka përfituar shumë nga MSA-ja, sidomos në rritjen e eksportit dhe rritjen e cilësisë, pastaj detyrimisht edhe rritjen e punësimit, një e mire tjetër është edhe importimi I teknologjisë së fundit në mënyrë që të jemi edhe konkurrent të mirëfilltë me kompanitë nga vendet e MSA-së” është shprehur Lulëzim Beqiri.

Por, ndryshe mendon njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj. Ai për Indeksonline ka thënë se që nga fillimi i implementimit të MSA-së, ka qenë skeptik në suksesin e tij.

Kadriaj thotë se pavarësisht që efektet e kësaj marrëveshje ende është vështirë të vlerësohen, MSA deri tani nuk është që ka treguar një rezultat pozitiv.

“Që nga fillimi kam qenë skeptike ne periudhën 5vjeqare. MSA për Kosovën ka me qenë e dëmshme kjo me bene me besuar edhe me shumë ku edhe Dogana e Kosovës është shprehur qe kemi rritje te importit kur krahasojmë periudhën e tetë mujorit te parë te këtij viti me vitin e kaluar. Me e rënda është se edhe ketë vit kemi rritje të importit nga fqinji verior Serbia dikun 400milion euro import kemi këtë vit. Është një sinjal i mirë që në këtë  periudhë kemi eksport 250 milion euro krahasuar me vitin e kaluar 210 milion euro. Por nuk është shpresëdhënëse sepse Kosova ende është eksportuese e metaleve,  kjo tregon qe ne si vend ende nuk kemi produkte tjera qe depërtojnë tregun rajonal dhe me gjerë. Me këtë momentum politk të pashpresë mendoj qe ekonomia do të vazhdoj me rënie sepse Kosova ende nuk po e dëshmon që është një vend i te berit biznes” ka thënë Kadriaj.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian./Indeksonline/

TË FUNDIT