MPJ e Kosovës përgënjeshtron edhe me dokument Serbinë për “tërheqjen” e njohjes nga Liberia

E publikuar: 20/06/2018 17:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Pretendimi i Serbisë për tërheqjejn e njohjes nga Liberia është mohuar edhe me dokument nga Ministria e Jashtme.

Këta të fundit kanë paraqitur notën verbale që tregon për akreditimin e ambsadorit të Kosovës në këtë shtet.

Komunikata e plotë:

 

Republika e Liberisë i ka dhënë pëlqimin akreditimit të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Senegal, si Ambasador jo-rezident i Republikës së Kosovës edhe në këtë shtet, ndërkohë që niveli i marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve dhe dy popujve është ri-konfirmuar nga vet kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli.

Konfirmimi i akreditimit diplomatik është bërë nëpërmjet një Note Verbale, të dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Liberisë drejtuar Ambasadës së Republikës së Kosovës në Dakar/Senegal, ndërsa ai në lidhje me raportet në mes dy vendeve nëpërmjet një bisede telefonike, që Ministri i Jashtëm, Pacolli, ka zhvilluar me autoritetet e larta të këtij shteti.

“Sapo bisedova me Qeverinë e Liberisë dhe ata më konfirmuan se Liberia nuk ka lëvizuar nga qëndrimi i mëparshëm në lidhje me njohjen e shtetit tonë. Lajmet dhe njoftimet e shpërndara nga mediat serbe janë të rreme dhe pjesë e përpjekjes me lajme të rreme nga Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daqiq. Ne, do t’i kundërshtojmë këto veprime”, ka thënë Ministri i Jashtëm Pacolli.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Liberisë dhe akredimi i Ambasadorit të Republikës së Kosovës në këtë shtet hedh poshtë çdo pretendim dhe propagandë dashakeqëse nga shteti fqinj Serbia përkitazi me nivelin dhe përmirësimin e marrëdhënieve të të dyja vendeve dhe popujve.

Republika e Kosovës në vazhdimësi ka zgjeruar rrjetin e përfaqësimit dhe depërtimit diplomatik në kontinentin afrikan.

Së fundi, me propozimin e Ministrit të Jashtëm, Pacolli, Republika e Kosovës do të hap Ambasadën e dytë në këtë kontinent, respektivisht në Tanzani krahas asaj që e kishte hapur më herët në Senegal.