MPB hapi fushatën njëmujore kundër trafikimit me qenie njerëzore

E publikuar: 18/10/2017 17:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Brendshme ka mbajtur konferencë me rastin e shënimit të Ditës evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj, tha se trafikimi me qenie njerëzore është skllavëri moderne dhe se është një problem ndërkombëtar që ka përfshirë edhe vendin tonë.
“Për të luftuar në mënyrë sa më efikase këtë krim, MPB ka përgatitur disa dokumente, në veçanti Strategjinë Kombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe Planin e Veprimit”, bëri të ditur ministri Sefaj duke ftuar të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë që veprojnë në Republikën e Kosovës, për t’iu bashkangjitur luftimit kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, tha se parandalimi i këtij lloj krimi specifik duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore që i parasheh legjislacioni më fuqi.
“T’i identifikojmë dhe ndëshkojmë bartësit e këtij krimi. Kapaciteti ynë veprues dhe ekspertiza jonë duhet të avancohet. Me rëndësi është edhe bashkëpunimi rajonal dhe me BE-në”, tha kryeministri Haradinaj.