Mourinho sulmon Leicester: Ranieri hyri në histori

E publikuar: 24/02/2017 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkarkimi i Claudio Ranierit nga ana e drejtuesve të Leicester City-t nuk ishte një rrufe në qiell të hapur. Skuadra humbi shkëlqimin e sezonit të kaluar dhe këtë vit lufton për mbijetesë.

Por sërish, trajneri italian ka marrë mbështetjen e kolegëve të tij, ku më i zjarrti që i ka dalë në mbrojtje ka qenë Jose Mourinho.

Menjëherë pas shkarkimit, Mou komentoi në rrjetet sociale.

“Kampion i Anglisë dhe Trajneri i Vitit i shpallur nga FIFA; shkarkuar. Ky është futbolli i ri Claudio. Buzëqesh! Askush nuk mund të fshijë historinë që shkrove ti”, shkruante portugezi.

E mospajtimi me vendimin e drejtuesve të kampionëve në fuqi të Anglisë nga ana e trajnerit të Manchesterit nuk përfundoi me kaq. Në konferencën për shtyp për ndeshjen e Kupës së Ligës, e parashikuar për të dielën kundër Southampton, Mou u shfaq me një bluzë, ku të stampuara ishin “CR”, jo për Cristiano Ronaldon, por për Claudio Ranieri.

“Është një gjest i vogël për dikë që ka shkruar historinë më të bukur të Premier Ligës, dikush që në vend që të pushohej, duhej të nderohej me vendosjen e emrit të tij tek stadiumi”, deklaroi Mourinho.

Një shkarkim të ngjashëm portugezi e ka përjetuar edhe vetë, kur në 2015 u shkarkua për rezultate të dobta, shtatë muaj pasi udhëhoqi skuadrën e Chelseat në titullin kampion të Anglisë.