Mourinho paralajmëron Pogba e Ibrahimovic: Nuk ka të paprekshëm

E publikuar: 19/10/2016 18:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jose Mourinho nuk impresionohet nga emrat e mëdhenj, për të rëndësi ka ajo çfarë bën në fushën e lojës dhe nga ky qëndrim nuk bëjnë përjashtim as Paul Pogba apo Zlatan Ibrahimovic. Trajneri portugez thekson se nuk do ta ketë aspak problem t’i ulë në pankinë dy yjet e tij nëse do ta shikojë të nevojshme. Dy emrat më të lakuar të merkatos së Manchester United ishin edhe ndër më të kritikuarit pas sfidës së “Anfield Road”. Francezi që u transferua për rreth 100 milionë Euro nga Juventusi numëron vetëm një asist në 9 ndeshje duke ngritur pikëpyetje të mëdha. Në krahun tjetër, suedezi ka shënuar vetëm një gol në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit. “Special One” thekson se në ekipin e tij nuk ka të paprekshëm.

“I paprekshëm në ekipin tonë duhet të jetë shpirti i vetësakrifikimit, krenaria dhe përkushtimi ndaj klubit e respekti ndaj fansave. Kjo është e paprekshme, jo lojtarët”.

Gjithsesi, Mourinho e pranon se Ibrahimovic ka një influencë të madhe në skuadër ku ai konsiderohet një simbol.

“Është emocionuese për mua që po punoj sërish me të. Ka të njëjtën dëshirë për të luajtur dhe të njejtën dëshirë për të arritur objektivat. Është në formë shumë të mirë dhe i gatshëm të luajë në çdo moment. Jam i lumtur për influencën që ka në dhomën e zhveshjes. Të rinjtë po mësojnë shumë nga Zlatan”.

Manchester United do të luajë kundër Fenerbahces për ndeshjen e tretë të grupit në Europa League dhe Mourinho konfirmon praninë e Luke Shaw që nga minuta e parë. Gjithsesi, ai nuk pranon të japë pika referimi për kundërshtarët, duke e mbajtur të fshehtë formacionin titullar.

“Shaw është emri i vetëm që po zbuloj. Rooney po punon shumë mirë. Ai është një lojtar që ka ndikim te skuadra edhe kur nuk zbret në fushë. Është një shembull për të gjithë. Unë e di që ai është gati dhe mund ta japë maksimumin”.