Motorçiklistit pa patentë i zbulohet arsenal kriminal në shtëpi: Armë, dylbi, silenciator, drogë, para falso

E publikuar: 30/09/2017 09:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Tiranës e ka ndaluar rastësisht në rrugën Bardhyl për një kontroll rutinë, Bruno Kurtin, 25-vjeçarin me motorçikletë. Por, ajo që ka zbuluar më pas lidhur me të ka qënë e habitshme: një arsenal armësh, pajisjesh e prova të tjera kanë ndërtuar një tjetër profil për të ndaluarin.

Arrestimi i tij u krye nga skuadra “Shigjeta”, pasi ai qarkullonte me motorr pa dokumentacionin përkatës. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar është gjetur dhe armë zjarri “Browing” me një krehër me fishekë.

Ndërsa, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë i janë gjetur një silenciator, një palë dylbi, 21 copë fishekë, 5 telefona, një qese farmacie me kanabis, një thikë me palosje, një thikë me dorezë të zezë, shkop gome, 2 shkopinj të punuar në mënyrë artizanale, 6 targa automjetesh, një kartmonedhë 2000 e dyshuar fallco, një minikartë telefoni dhe një prozhektor.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ” Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.