Motoçiklisti që i preku frenat kolegut, Romano Fenati tërhiqet nga motoçiklizmi

E publikuar: 12/09/2018 22:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Romano Fenati, motoçiklisti i cili ia preku frenat kolegut Stefano Manzi derisa po lëviznin me shpejtësi të madhe gjatë garës San Marino Moto2, është tërhequr nga motoçiklizmi.

Fatmirësisht, kundërshtari tij nuk e humbi kontrollin dhe vazhdoi ta ngiste motoçikletën, përkundër reagimit të papritur nga rivali.

“Nuk do të garoj më kurrë. Bota e motorëve nuk më përket më, ka shumë padrejtësi. Pranoj që gabova dhe u kërkoj falje të gjithëve”, janë fjalët e Fenatit për gazetën La Reppublica.

Pasi u përjashtua nga gara dhe u dënua me dy gara të tjera pezullim, skuadra e tij aktuale i prishi kontratën, ndërsa ekipi i tij i ardhshëm njoftoi se nuk do ta merrte në gjirin e tij një pilot të tillë.

Pas gjithë këtyre ngjarjeve, Fenati vendosi të tërhiqej nga motoçiklizmi, transmeton Top Channel.

“Shikoni kostumin dhe kaskën time. Kanë shenjat e gomës së Manzit. Më sulmoi tri herë dhe mund të më kishte vrarë”.

“Prandaj vendosa të sillesha në të njëjtën mënyrë dhe t’i tregoja që edhe unë mund të bëhesha i keq. Por, në asnjë moment nuk doja ta lëndoja, betohem”, e ka shpjeguar 22-vjeçari veprimin e tij.