Moszgjidhja e kontesteve historike me Bullgarinë, sfidë për Maqedoninë e Veriut

E publikuar: 03/08/2019 16:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kontestet kryesore historike mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, vështirë se do të zgjidhen deri në tetor, ashtu siç deklaruan të enjten në Shkup, kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov.

Krerët e dy qeverive presin që komisioni i përbërë nga historianë dhe ekspertë të tjerë të zgjidhin dallimet për ngjarjet e rëndësishme historike dhe përkatësinë etnike të heronjve që dy vendet pretendojnë se u takojnë atyre, në përputhje me marrëveshjen për fqinjësi të mirë të arritur në vitin 2017.

Kontesti më i madh ndërlidhet me figurën e Goce Dellçevit, një heroi i periudhës së fundit të shekullit XIX, që ka luftuar për çlirimin e territoreve maqedonase nga sundimi turk, për të cilin Sofja thotë se është bullgar.

Por, Petar Todorov, një anëtar i komisionit maqedonas, thotë se arritja e marrëveshjes nuk duhet të ndërlidhet me afate pasi zgjidhjet e shpejta asnjëherë nuk kanë rezultuar me zgjidhje të mira.

“Në këtë botë vetëm se vdekja është e patjetërsueshme. Më e mira do të ishte që politikanët të mos japin afate pasi kjo do të ishte kundër produktive, historianët do punonin nën presionin e kohës dhe kjo mund të çoj në zgjidhje të shpejta dhe jo të mira”.

“Kjo do të mund të rrënonte bazën e marrëveshjes që synon forcimin e raporteve mes dy vendeve…sa i përket kontesteve do të ndalem tek figura e Goce Dellçevit që është e rëndësishme për të dyja vendet dhe unë vlerësoj se zgjidhja duhet jetë në drejtim të asaj që të kemi një marrëveshje për manifestime të përbashkëta, pasi nuk do të kishte asnjë kuptim për maqedonasit nëse ne do të merrnim pjesë në të vetëm pse ai është bullgar”, thotë Todorov.

Se problemet me Bullgarinë nuk janë lehtë të zgjidhshme e thotë edhe profesori i çështjeve ndërkombëtare Denko Maleski, ish Ministër i Punëve të Jashtme. Ai thotë se marrëveshja me Bullgarinë nuk është gjë tjetër vetëm se marrëveshja për hapjen e debatit për çështjet kontestuese.

“Djalli qëndron tek detajet. Ashtu edhe po ndodhë, mospajtimet veç më i kemi në sipërfaqe pasi në rastin me Bullgarinë ne kemi nënshkruar një marrëveshje për të hapur çështjet kontestuese edhe pse ajo u quajt një erë të re e paqes dhe bashkëpunimit. Kjo marrëveshje dallon nga ajo me Greqinë e cila zgjidhi problemin me emrin, por marrëveshja me Bullgarinë është shumë më e ndjeshme. Me rëndësi është që pala maqedonase të paraqitet e përgatitur, me argumente për të mbrojtur të vërtetën historike”, ka deklaruar, profesori Maleski.

Presidenti Stevo Pendarovski, gjithashtu është i përfshirë në debatin për çështjet e pazgjidhura me Bullgarinë. Në një prononcim të mëparshëm për Radion Evropa e Lirë, kreu i shtetit ka pranuar vështirësitë që ka me Sofjen për kapërcimin e dallimeve për aspektet historike. Ai tha se pala bullgare insiston që e tërë historia të përshkruhet si bullgare andaj edhe ka kërkuar që të ketë një kornizë politikë mbi vazhdimin e mëtejme të procesit.

“Opinioni maqedonas duhet ta dijë se komisioni i përbërë nga historian nga të dyja shtetet ndodhet në qorrsokak. Jemi në një situatë kur pala bullgare e cila për bindjen time e motivuar politikisht insiston që e gjitha periudha e shekullit XIX dhe XX të shkruhet si histori bullgare dhe të gjithë revolucionarët, patriotet dhe periudhat e historisë të definohen si bullgare”.

“Pas konsultimeve të gjëra që kanë pasur me ekspertë e historianë kam konstatuar nevojën e një kornizë politike mbi bazën e të cilave do të zhvillohen bisedimet, në të kundërtën do të kishim bllokadë nga Sofja dhe për përpjekjet vazhdojnë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme, që e gjithë historia të mos jetë bullgare, apo të mos jetë maqedonase…fillimisht të shihen ato pjesë historike, periudha e personalitet për të cilat mund të arrihet gjuhë e përbashkët”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Deklarata e kryeministrit bullgar në Shkup se komisionet duhet patjetër që të gjejnë zgjidhje deri në tetor është interpretuar edhe si kërcënim nga Sofja që nëse nuk arrihet marrëveshje atëherë Bullgaria e cila është anëtare e BE-së mund ta përdor këtë si arsyetim për bllokimin eventual të datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, që pritet të jetë temë debate në vjeshtë nga institucionet e Bashkimit Evropian.