Mosmarrëveshja me Kosovën, Serbisë i kushton qindra miliarda euro

E publikuar: 13/08/2018 10:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtyrja e zgjidhjes së çështjes së Kosovës (medie dhe politika serbe vazhdojnë ta quajnë moszgjidhje pasi nuk shfaqin gatishmëri për ta njohur pavarësinë e saj), Serbisë deri në vitin 2027 do t’i kushtojë qindra miliarda euro, transmeton Koha.net.

Të paktën kështu shkruan sot një medium serb.

Paga mesatare nën 400 euro, pensioni 220 euro, 40 mijë banorë çdo vit më pak dhe humbja nga 100 – 110 miliardë euro në vit deri në vitin 2027, është kostoja e shtyrjes së zgjidhjes së këtij problemi, sipas mediumit.

Këto janë rezultatet e hulumtimeve të agjencisë “Futurist”, të përcjella nga gazeta “blic”.

Kjo agjenci është përpjekur t’i prezantojë të gjitha pasojat ekonomike lidhur me moszgjidhjen e kësaj çështjeje e cila me vite e mundon Serbinë.

Siç është theksuar në analizë, pjesa e parë e kostos ekonomike ka të bëjë me humbjen e gjithë asaj që është e ndërlidhur me Europën.

„Bashkimi Europian është bindshëm partneri ynë ekonomik më i madh. Këmbimi i përgjithshëm i Serbisë në vitin 2017 ka qenë 34 miliardë euro me ç’rast importi ka qenë 19 miliardë euro ndërsa eksporti 15 miliardë euro. Pjesëmarrja e përgjithshme e BE-së në këmbimin e jashtëm tregtar është 64 për qind. Pjesëmarrja e eksportit në BE në eksportimin e përgjithshëm është 66 për qind, ndërsa importi nga BE-ja bën pjesë me 62 për qind nga importimi i përgjithshëm”, shkruan në këtë analizë, transmeton Koha.net

Po ashtu BE-ja bën bllokun e vendeve nga të cilat në Serbi shkojnë më së shumit investime të drejtpërdrejta.

“Vetëm nga viti 2010, rreth 70 për qind e investimeve të drejtpërdrejta është me origjinë nga BE-ja. Borxhi i përgjithshëm i jashtëm i Serbisë në fund të vitit 2017 ka qenë 26 miliardë euro. Nga kjo shumë, burimet e financimit nga bankat zhvillimore dhe institucionet si EBRD dhe EIB, janë afër 4 miliardë euro. Nga ana tjetër, nga shuma e përgjithshme e bilancit të sektorit bankar, e cila në fund ë vitit të shkuar ka qenë rreth 28 miliardë euro, rreth 70 për qind e tyre kanë qenë nga bankat që selitë i kanë në vendet e BE-s”, shkruan në “Futurist”.

Natyrisht se do të ketë pasoja edhe nga ndërprerja e ndihmës pa kthim nga BE-ja.

„Ndihma e përgjithshme e huaj pa kthim nga viti 2001 deri në vitin 2015 ka qenë më shumë se 3 miliardë euro e në këto ndihma pjesëmarrjeje e BE-së ka qenë 75 për qind”, thotë studimi.

Nëse Serbia vendos t’i anulojë të gjitha marrëveshjet e deritashme, t’i ndërpresë të ardhmet e dhe të refuzojë paraprakisht çdo zgjidhje, me siguri se do t’i përjetojë sanksionet dhe ekskomunikimin nga bashkësia ndërkombëtare, ngrirjen e pasurisë dhe ndaljen e donacioneve dhe investimeve aktuale.