Moskë: Kerry bisedon për Sirinë dhe Ukrainën

E publikuar: 15/12/2015 17:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, gjatë qëndrimit në Moskë, me ç’rast takon zyrtarët më të lartë rusë, përfshirë presidentin, Vladimir Putin, do të fokusohet në përpjekjet për tranzicionin politik për përfundimin e luftës civile në Siri dhe për implementimin e marrëveshjes paqësore në pjesën lindore të Ukrainës.

Kjo vizitë bëhet para rundit të tretë të planifikuar të bisedimeve ndërkombëtare për Sirinë, më 18 dhjetor në Nju Jork.

Ministria e jashtme ruse ka kumtuar se në bisedën telefonike ndërmjet ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, janë pajtuar që të plotësohen parakushtet specifike para çfarëdo takimi të ri, duke hedhur dyshime për kohën e mbajtjes së takimit në Nju Jork.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby, u tha reporterëve në Uashington se Kerry udhëtoi në Moskë “me pritje se atje nuk ka parakushte për këtë takim”.

Sekretari Kerry, para takimit me zotin Lavrov është shprehur se shpreson se ka gatishmëri për të bërë progres real.

“Mendoj se bota përfiton kur vendet e fuqishme me histori të gjatë ndaj njëra-tjetrës, kanë aftësi që të mund të gjejnë terren të përbashkët. Unë shpresoj se sot ne do të gjejmë ndonjë terren të përbashkët”, tha John Kerry.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet insistojnë se presidenti sirian, Bashar al-Assad, nuk mund të qëndrojë në pushtet si pjesë e zgjidhjes politike për luftën civile tashmë gati 5 vjeçare në Siri, ku forcat qeveritare po luftojnë kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe kundër grupeve të moderuara opozitare, disa prej të cilave janë të mbështetura nga kolaicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Rusia e ka hedhur poshtë këtë qëndrim për presidentin Assad, duke thënë se i takon popullit të Sirisë për ta zgjedhur liderin e vet dhe se ushtria e Assadit është forca më e aftë për t’i shkaktuar disfatë grupit ekstremist, Shteti Islamik, që i ka nën kontroll territore të gjëra në Siri dhe Irak.

Zoti Kerry ka theksuar se Uashingtoni dhe Moska pajtohen se grupi militant, Shteti Islamik, “paraqet kërcënim për çdokënd, për secilin vend dhe se ata janë terroristët më të këqinj, pasi ata e sulmojnë kulturën, historinë dhe nderin”.

Celeste Wallander është anëtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të presidentit amerikan, Barack Obama.

Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se derisa pozicionet e Moskës dhe Uashingtonit për Assadin, ndoshta “nuk janë afruar”, Shtetet e Bashkuara e shohin mundësinë që pozicioni i Rusisë “të evoluoj ashtu që ne mund të pajtohemi”.

“Nuk e di se pozicionet janë afruar, por është e qartë se atje mund të ketë një marrëveshje për tranzicion, që mund t’i plotësojë kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe të koalicionit amerikan, që Assadi të mos jetë pjesë e udhëheqjes së Sirisë dhe këto janë diskutime që janë në fokus intensiv aktualisht”.

“Ne nuk do t’i kishim këto negociata sikur të mendonim se atje nuk ka mundësi që pozicioni i Rusisë të evoluoj, ashtu që ne mund të pajtohemi”, tha Celeste Wallander.

Në një takim në Arabinë Saudite, javën e kaluar, është arritur pajtueshmëria për bashkimin e disa grupeve opozitare siriane, duke e përjashtuar grupin militant, Shteti Islamik, për të zhvilluar negociata paqësore me qeverinë e Assadit.

Derisa sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë se ende janë të nevojshme “lëvizje” për planin e bashkimit të grupeve opozitare siriane, Kremlini i ka hedhur poshtë të arriturat e takimit në Rijad të Arabisë Saudite, duke thënë se ato grupe nuk kanë të drejtë të flasin në emër të gjithë opozitës siriane.

Kerry dhe presidenti Putin konsiderohet se diskutojnë edhe për implementimin e marrëveshjeve për armëpushim, që janë nënshkruar në Minsk të Bjellorusisë në muajin shkurt, për ta ndalur dhunën ndërmjet forcave të Ukrainës dhe separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës, që mbështeten nga Rusia.

Kombet e Bashkuara thonë se prej prillit të vitit të kaluar, në këtë konflikt janë vrarë më se 9 mijë vetë.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shprehur se Uashingtoni mund të ndihmoj në gjetjen e zgjidhjes për krizën në Ukrainë.

“Me siguri se ne do të dëshironim shumë ta vazhdojmë diskutimin e inicuar nga presidentët tanë se si Shtetet e Bashkuara, mund të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës së Ukrainës. Duke pasur parasysh ndikimin e Shteteve të Bashkuara në Kiev, ky do të ishte faktor pozitiv për punën e grupit Franca, Gjermania, Ukraina dhe Rusia”, tha Sergei Lavrov, transmeton rel.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, u tha reporterëve në Uashington se Kerry, po ashtu, do ta inkurajojë vazhdimin e përpjekjeve nga Moska për uljen e tensioneve me Turqinë, pasi forcat turke e rrëzuan një aeorplan luftarak rus, afër kufirit me Sirinë, më 24 nëntor.