Mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol, hendikep në luftimin e terrorizmit

E publikuar: 13/09/2020 12:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në marrëveshjen e Uashingtonit, Kosova është zotuar se do ta shpallë Hezbollahun organizatë terroriste dhe t’i përmbushë në tërësi masat për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të saj. Por, ekspertë të sigurisë pohojnë se Kosova është e hendikepuar në luftimin e terrorizmit, meqë si vend nuk ka arritur të jetë anëtare në organizata ndërkombëtare, siç është Interpoli.Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, njëherësh ekspert i sigurisë, Kadri Kastrati thotë për KosovaPress se përmes Kosovës kalojnë të gjitha rrugët nga lindja në perëndim, për çka sipas tij rreziku për përhapjen e terrorizmit është tejet i madh.Kastrati: Hendikep për Kosovën është mosanëtarësimi në Interpol(Video) “Një prej hendikepeve më të mëdha të Kosovës, është që Kosova nuk është anëtare e Interpol-it dhe Europol-it dhe mekanizmave të tjerë të cilët janë shumë të rëndësishëm në kohën e sotme kur luftohet terrorizmi, për të shkëmbyer informacionet, për të informuar njëri-tjetrin se për këto lëvizje që janë jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën dhe rajonin dhe aspektin global”, deklaron Kastrati.Kastrati thotë se duhet të fuqizohen institucionet e drejtësisë e sigurisë, që të identifikohet nëse ka elemente të këtyre organizatave në vend. Meqë sipas tij, me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në Uashington, Kosova ka marrë obligim që të luftojë edhe organizata tjera terroriste.Kastrati: MPB duhet të identifikojnë a ka elemente të terrorizmit në Kosovë
(Video) 
“Ministria e Punëve të Brendshme dhe mekanizmat e tjerë edhe politikë edhe operativë duhet në Kosovë të fillojnë të identifikojnë a ka elemente në Kosovë të terrorizmit. E, atëherë nëse identifikojnë që ka elemente duhet të bëjnë një strategji për t’i luftuar këta, për t’i kapur apo për t’i eliminuar gjitha elementet që kanë të bëjnë me këto organizata. Por, jo vetëm me këtë. Kemi edhe organizata të tjera, nuk duhet të fokusohemi vetëm në Hezbollah, ne duhet të fokusohemi edhe në organizata të tjera”, shton ai për KosovaPress.Se Kosova është e hendikepuar me mos anëtarësimin në Interpol e thotë edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.Ibishi: Çdo vonesë ka pasojat e paevitueshme
(Video) 
“Nëse nuk jemi pjesë aktive e një organizate siç është Interpol-i, vet zbatimi i menjëhershëm i një procesimi të një informacioni apo një të dhëne, një qasje, për shembull të një anëtari të një organizate terroriste apo krimit të organizuar, çdo vonesë ka pasojat e veta të paevitueshme”, thekson ai.Eksperti tjetër i sigurisë Drizan Shala vlerëson se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, i atribuohet njohjes që vjen nga Izraeli.Shala: Më shumë i atribuohet njohjes nga Izraeli
(Video) 
“Unë mendoj që shpallja e organizatës Hezbollah në një marrëveshje në Uashington më shumë i atribuohet njohjes që vjen nga Izraeli…Dhe kjo shpallje në këtë marrëveshje, Hezbollahu si organizatë terroriste është si një lloj alibie për Izraelin për të jetësuar marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Izraelit”, thekson Shala.Në lidhje me këtë, KosovaPress ka kontaktuar këshilltarin e ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj. I njëjti thotë për KosovaPress se luftimi i terrorizmit, është çështje operacionale e Policisë së Kosovës.Sipas Zyrës për Informim në PK, situata aktuale është shumë më ndryshe për dallim nga vitet 2013 dhe 2014.”Që nga viti 2013 e deri më tani Policia e Kosovës ka iniciuar hetime penale kundër më shumë se 350 personave, ndërsa janë arrestuar mbi 165 persona të dyshuar për vepra penale të terrorizmit dhe veprave tjera penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e PK-së.Megjithatë, Kosova në Uashington është pajtuar që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Interpol.https://www.youtube.com/watch?v=_5MUJzHNB94&feature=youtu.be&fbclid=IwAR2UyKh57x0FpjzryIX3EZXt11oZxFprcLfJduwB2n6gXG3WGXgOVoY2d2M