Mos përdorni telefonin mobil mbi 30 minuta në ditë

E publikuar: 16/12/2017 17:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njerëzit të cilët përdorin telefonat mobilë intensivisht duket se kanë më tepër rrezik në zhvillimin e disa tipave të kancerit të trurit, thonë shkencëtarët francezë, ndërsa iu përgjigjen pyetjeve për sigurinë e telefonit.

Personat të cilët përdorin telefonat mobilë më shumë se 15 orë në javë (30 minuta në ditë për një periudhë mesatarisht 5-vjeçare janë 2-3 herë më të prirur për t’u prekur nga tumoret e gliomës dhe meningliomës.

Studimi, i cili është botuar në numrin e fundit të revistës britanike “Occupational and Environmental Medicine”, është i fundit lidhur me sigurinë e telefonave mobilë.

Në 15 vitet e fundit shumë studime kanë dështuar për të dhënë rezultate të qarta lidhur me përdorimet e mobilëve, megjithëse mund të kenë gjetur një lidhje mes gliomës dhe përdorimit të gjatë të tyre.

“Studimi ynë është në të njëjtin drejtim, por rezultatet duhet të konfirmohen”, thotë Isabelle Baldi e Universitetit të Bordosë në jugperëndim të Francës, transmeton Telegrafi.

Agjencia Ndërkombëtare e Studimeve mbi Kancerin (IARC) deklaroi se fushat e radiofrekuencës të përdorura nga telefonat mobilë mund të jenë kancerogjene.

Sidoqoftë kërkuesit janë përballur me sfida të ndryshme, duke përfshirë të pasurit e një tabloje më të qartë lidhur me përdorimin e telefonit në jetën tonë, si dhe faktorë të tjerë si duhani, i cili gjithashtu e rrit rrezikun e kancerit.

Studimi i ri përfshiu 253 raste të gliomës dhe 194 raste të meningimës të raportuar në katër reparte franceze. Këta pacientë u krahasuan me 892 individë të shëndetshëm.

Krahasimi zbuloi një rrezik më të lartë mes personave që përdornin mobilët intensivisht, sidomos mes atyre që e përdornin për punë, si shitje! Koha e përdorimit në këtë kategori shkonte nga 2-10 vjet, me një mesatare prej 5 vjetësh.

Megjithatë studiuesit kanë edhe disa dilema, si për shembull: kanceri zhvillohej në krahun e kundërt të trurit dhe jo në krahun ku mbahej telefoni i dorës zakonisht.

“Është e vështirë të përcaktojmë nivelin e rrezikut, sidomos duke qenë se teknologjia vazhdon të zhvillohet”, thuhet në studim, ndërsa theksohet se janë edhe më të nevojshme hulumtimet e mëtejshme. /Telegrafi/