“Mos e kap për fyti”, “Je t’u e fur djalin o zotni” — Kur Frashër Krasniqi u tërhoq dhe u arrestua dhunshëm

E publikuar: 07/05/2021 23:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

PSD’ja zhvilloi sot një aktivitet ku në objektin e qeverisë shkroi mbishkrime “GJAKDERDHJE FINANCIARE”, e pastaj hodhën ngjyrë të kuqe. Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, disa aktivistë të PSD’së u arrestuan, në mesin e tyre edhe Frashër Krasniqi.

Ish-deputeti u tërhoq zvarrë nga dy policë për ta arrestuar, ndërkohë që disa aktivistët të tjerë tentonin që kjo të mos ndodhë. Ndër ta edhe Dardan Molliqaj — kreytari i PSD’së.

E më pas, nismës së dy policëve i bashkohen edhe disa policë të tjerë. Ndërkohë kryetari Molliqaj dëgjohet duke i thënë policit “Mos e kap për fyti”.

Derisa Teutë Rrusta, Zgjim Hyseni dhe Dardan Molliqaj largohen nga policët e tjerë, vazhdon arrestimi i Krasniqit.

“Je ka e fur njërin, zotni”, dëgjohet një aktivist duke iu drejtuar policëve.

“Vec një intervistë ke me ardhë me bo”, i thotë një polic Krasniqit.

“Po lene bre burrë djalin”, dëgjehot një aktivist tjetër derisa mundohet ta lirojë Krasniqin.

Pasi tërhiqet zvarrë dhe me fytyrë për toke Krasniqi dëgjohet derisa thotë “Bravo Qeveria Kurti”.

Zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuqi, ka konfirmuar për Express se të arrestuar janë: Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Frashër Krasniqi, Qëndrim Sahiti dhe disa të tjerë.

Borovci nga Policia e KOsovës ka thënë se ata kanë hedhur ngjyrë dhe gjësende të tjera në drejtim të objektit të Qeverisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

“Rreth orës 14:30 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash të cilët kanë hedhur ngjyrë dhe gjësende të tjera në drejtim të objektit të Qeverisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Me qëllim të parandalimit të degradimit të mëtejmë të veprimeve të tilla policia ka reaguar duke shoqëruar në stacionin policor pesë persona ndaj të cilëve konform autorizimeve policore dhe në koordinim me prokurorin e shtetit po ndermerr veprimet e duhura para se të njejtit të procedohen në fazën vijuese”, ka thënë Borovci për Express.

E në reagimin e PSD’së thuhej se një prej arsyeve pse zuri zbatim ky aksion, ishte pagesa e qeverisë prej 11 milionë eurove për energjinë elektrike në veri të vendit.

“Dje pushteti kaloi nismën për të paguar 11 milionë euro të borxhit të energjisë elektrike për veriun e Kosovës. Një padrejtësi e proklamuar qysh moti po miratohet në dy qeverisjet e Kurtit ani pse vet e kanë deklaruar si të padrejtë. Me këtë veprim pushteti financoi strukturat paralele dhe kriminale me paratë e qytetarëve të Kosovës. Sigurisht që nuk ka sesi të jetë ndryshe, pasi që Kurti është dorëzuar përballë kompromisit final, në negociata me Serbinë. Këto janë vetëm simptomat e një pushteti në parehatinë e tij”, thuhet në reagimin e PSD-së.