Morata i motivuar për të fituar ndaj Barcelonës

E publikuar: 05/06/2015 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Alvaro Morata sfidon Barcelonën. Në kampin e Juventusit presin shumë nga talenti spanjoll, i cili si një ish madrilen do të bëjë gjithcka për t’i shënuar Barcës në finalen e Championsit.

Falë golit të Moratës në “Santiago Bernabeu”, bardhezinjtë siguruan një biletë për në Berlin, por tashmë synimi i 22-vjeçarit është të ngrejë lart trofeun e Championsit.

“Skuadra është shumë e motivuar. E dimë që do të luajmë një finale Championsi dhe nëse fitojmë mund të shkruajmë historinë. Të jesh pjesë e një sfide të tillë ndien emocione të veçanta. Jemi të ndërgjegjshëm se për ne do të jetë shumë e vështirë pasi kemi përballë një ekip shumë të fortë. Duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte për të mposhtur Barcelonën. A jam i emocionuar që do të luaj një finale Championsi përballë Barçës? Patjetër që po. Do t’iu gënjeja nëse do t’u thosha jo. Jam rritur te Reali i Madridit dhe kam shumë miq aty. Do të bëj gjithcka për të shënuar në finale dhe për të ndihmuar Juventusin të fitojë”.

Gjithsesi Morata është i ndërgjegjshëm dhe shikon Barcelonën favorite në Berlin.

“Të them të vërtetën për mendimin tim favorit janë ata. Barcelona ka një super ekip. Unë jam i sigurtë se edhe ne do të kemi shanset tona por favorite është padiskutim Barça”.

Të gjithë tifozët e Juventusit i frikësohen një lojtari në veçanti te Barcelona, pikërisht Lionel Messit. Por edhe pse e vlerëson maksimalisht argjentinasin, sulmuesi spanjoll nuk trembet nga 4-herë fituesi i Topit të Artë.

“Jo nuk mendoj se Messi të tremb. Në jetë janë të tjera gjëra që duhen patur frikë. Ne kemi shumë respekt për Messin pasi ai është një nga lojtarët më të mirë të Botës. Leo dhe Cristiano qëndrojnë mbi gjithë të tjerët por nuk duhet të harrojmë faktin që edhe ne kemi një repart mbrojtës shumë të mirë që mund të përballojë çdo lojtar”.