“Monstrumi” dhe dy dorëheqjet e Haradinajt

E publikuar: 20/07/2019 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 9 shtator të 2017-s Haradinaj është zgjedhur kryeministër, pas zgjedhjeve të parakohshme që kishin pasuar një mocion mosbesimi,të cilin Kuvendi e kishte miratuar kundër Qeverisë që drejtohej nga Isa Mustafa.

Vendimit i kishte paraprirë një kauzë e mbështetur me protesta në rrugë e veprime të dhunshme brenda Kuvendit, kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, që sipas Haradinajt dhe opozitës së asaj kohe ia kishte humbur Kosovës 8 mijë hektarë të territorit.

Disa kohë pasi e ka marrë mandatin, Qeveria Haradinaj e ka proceduar për ratifikim në Kuvend të njëjtën marrëveshje që synonte ta ratifikonte Qeveria Mustafa. Por si justifikim për ta kaluar atë ishte marrë një deklaratë mes presidentësh të Kosovës dhe Malit të Zi, në të cilën jepej zotimi për të korrektuar kufirin në pjesët që i kontestonte Haradinaj.

Pikërisht në mbledhjen e 111 të Qeverisë Haradinaj, është marrë një vendim përkitazi me këtë marrëveshje.

“Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë ishte autorizimi për përfaqësimin e Kosovës në Trupën Punuese për rishikimin dhe korrektimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Trupa Punuese emërohet duke u mbështetur në Deklaratën e Përbashkët të të dy presidentëve, të datës 16 shkurt 2018, me të cilën është paraparë themelimi i Trupës së Përbashkët Punuese për rishikim dhe korrektim të vijës kufitare në sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit”, thuhet në njoftimin e fundit të Haradinajt, përpara se ta deklaronte dorëheqjen. “Në Trupën Punuese do të jetë Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, dhe, sipas nevojës, do të mbështetet me ekspertizë shtesë në zbatim të detyrave të dhëna”.

Kjo nuk ishte përvoja e parë e Haradinajt në krye të ekzekutivit. Ai ishte zgjedhur kryeministër edhe më 3 dhjetor të 2004-s dhe kishte qëndruar vetëm deri më 8 mars të vitit pasues, kur pati dhënë dorëheqje për të udhëtuar në Hagë, ku Tribunali për ish-Jugosllavinë kishte ngritur kundër tij aktakuzë për krime lufte. Pas një procesi që zgjati për vite rresht, ai është shpallur i pafajshëm.

Në kohën kur ishte akuzuar Haradinaj, kryeprokurore e Tribunalit ishte Carla Del Ponte, e cila pas pensionimit kishte botuar një libër që përmban pretendime për krime të UÇK-së. Mbi bazën e tyre, senatori Dick Marty ka zhvilluar një hetim, i cili ka rezultuar me një raport me shumë pretendime për krime të UÇK-së. Në të, presidenti Thaçi e kryeparlamentari Veseli përmenden si përgjegjës për disa nga krimet.

Gjykata dhe organi i akuzës pranë Speciales, që tash dyshon se edhe Haradinaj është një nga përgjegjësit e këtyre krimeve, është formuar në 2015-n bazuar në raportin e senatorit Marty, e i cili mban vulën e Këshillit të Evropës. Specialja formalisht është pjesë e sistemit kosovar të drejtësisë, por është e vendosur në Hagë të Holandës dhe është e përbërë vetëm nga gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë. Ajo e ka në juridiksion të trajtojë krimet e luftës që pretendohet t’i kenë kryer pjesëtarë të UÇK-së, funksione me peshë në të cilën kishin tre liderët e tashëm shtetërorë, presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli e kryeministri Haradinaj.

Deri tash, ende nuk është shpallur ndonjë aktakuzë. Por Specialja ka intervistuar shumë eksponentë të UÇK-së, në cilësinë e të dyshuarve. Nuk dihet nëse mes tyre janë edhe Thaçi e Veseli. Të dy të premten kanë ndier keqardhje për ftesat e fundit që kanë mbërritur në Prishtinë nga Haga.

Mes të ftuarve është edhe ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, i cili është edhe këshilltar i kreut të shtetit. Thaçi, që ka kumtuar këtë lajm, ka thënë të besojë në pastërtinë e luftës së UÇK-së e edhe në vlerat e larta morale të ushtarëve të lirisë.

Pas lajmit për ftesën, mbështetje Haradinaj ka marrë nga shoqatat e dala nga lufta, nga faktori politik në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe nga përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi.

Në kohën kur ishte votuar Specialja, Haradinaj ndodhej në opozitë. Megjithëkëtë, shumë bashkëpartiakë të tij kishin votuar ndryshimet kushtetuese e ligjore për ngritjen e saj. Megjithëkëtë, Haradinaj ishte kundër. Atëkohë, gjatë një fjalimi në Kuvend, gjykatës i ishte referuar me fjalën “monstrum”.

“Çka jemi duke i ofruar sot Kosovës? Një monstrum ligjor! Çka është ky monstrum? E para, është një tip precedent kjo gjykatë. Nuk po ndodh për ndonjërën prej republikave të ish-Jugosllavisë, nuk po ndodh për Serbinë dhe për asnjërën që ka qenë palë e luftimeve”, kishte thënë Haradinaj, në foltoren e Kuvendit. “Kjo gjykatë do t’ia sjellë ferrin Kosovës. Pse ia sjell ferrin? Për një kohë të gjatë Kosova do ta bëjë lajmin, jo të medieve kombëtare, por ndërkombëtare, të monstrumit, të atyre që janë monstrum – të popullit, të njerëzve, të vendit, të shtetit, të simboleve monstrum. Gjithkund në botë do të trajtohet si monstrum Kosova”.