Monchi: N’Zonzi më i mirë se Malcom

E publikuar: 17/08/2018 02:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori sportiv i Romës, Monchi ka vlerësuar lartë transferimin e ri të skuadrës, Steven N’Zonzi, të cilin e cilëson më të mirë se Malcom që iu ‘vodh’ nga Barcelona.

Roma ka transferuar mesfushorin francez nga Sevilla për një shifër rreth 30 milionë euro në total dhe kjo e ka bërë të lumtur drejtorin sportiv Monchi, të cilit nuk i ka mbetur fare hatri për mos-arritjen e Malcom.

“Thashë se do të merrja një lojtar më të fortë [se Malcom], por jo domosdoshmërisht në të njëjtin rol”, ka thënë fillimisht Monchi në një konferencë shtypi.

“A nuk duket kampioni i botës më i fortë se Malcom për ty? Për mua, Steven është më i mirë se Malcom”, shtoi Monchi drejt një gazetari.

Malcom u ‘vodh’ nga Barcelona

“Ne tashmë kemi lojtarë më të fortë në ekipin tonë. Ne kemi përmirësuar ekipin pa menduar për rolet e përcaktuara”.

“Malcom ishte një mundësi sepse ai dukej i fortë, por shkuam përpara duke kërkuar dy lojtarë të njëjtë dhe disa të tjerë”.

“Dhjetë ditë më parë, ishte e pamundur të nënshkruhej Steven për shkak të një arsyeje ekonomike, por falë dëshirës së agjentit të tij – që është babai i tij – që të vijë këtu dhe përpjekjeve të klubit, ne kemi pasur sukses”.

“Asgjë nuk ka ndryshuar. Kemi marrë një lojtar të fortë”, përfundoi drejtori sportiv i Romës. /Telegrafi/