“Momenti i fundit që Kosova të reflektojë për taksën”

E publikuar: 06/03/2019 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Diplomatët amerikanë dhe gjermanë gjatë kësaj jave dhe në fillim të javës së ardhshme do të vijnë në Kosovë, dhe në takime të ndryshme me liderët vendorë do ta diskutojnë çështjen e heqjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.

Politologu Ramush Tahiri i sheh si vendimtare këto javë, duke thënë se Kosova mund të hyjë në sanksione ndërkombëtare.

Kryeministri Ramush Haradinaj një ditë më parë nuk e ka përjashtuar mundësinë që të pezullohet përkohësisht taksa ndaj mallrave nga Serbia, nëse palët arrijnë një kontratë finale. Ky qëndrim i Haradinajt, vjen pak ditë para vizitës që nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale, do të zhvillojë në Kosovë.

Hale do të qëndrojë të premten dhe të shtunën në Prishtinë, ku do të takohet me krerët shtetërorë të Kosovës. Ndërsa në fillim të javës së ardhshme është raportuar se në Kosovë do të vijnë për vizitë edhe dy diplomatë gjermanë.

Duke e pasur parasysh presionin ndërkombëtar për taksën, politologu Ramush Tahiri thotë se është momenti i fundit që institucionet e Kosovës të reflektojnë.

“Këto javë janë të fundit që Kosova të reflektojë, para se të hyjë në procedurën e sanksioneve ndërkombëtare, sepse kjo ka qenë praktikë edhe me vendet e tjera”, ka thënë Tahiri për Radio Kosovën.

Politologu Tahiri flet për presionet ndërkombëtare, duke thënë se Kosovës i është kërkuar që të pezullohet taksa, në mënyrë që të hiqet kushti për fillimin e dialogut me Serbinë dhe të shtensionohen marrëdhëniet me vendet e CEFTA-s.

“Presionet e BE-së dhe SHBA-së, janë zbatim i politikave parimore që i kanë ndaj shteteve të cilat i prishin marrëveshjet ndërkombëtare dhe të cilat me kryeneçësi imponojnë pikëpamjet e veta në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.

Përkundër presioneve të vazhdueshme, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur këmbëngulës që taksa ndaj mallrave serbe të mos hiqet, ndërsa krejt çka kërkon ai është garancia e SHBA-së për një kontratë me Serbinë për njohjen e ndërsjellë, e ku nuk përfshihet shkëmbimi i territoreve, apo formimi i një republike serbe brenda territorit të Kosovës.