Molliqaj: Të gjithë kanë dëshirë të bashkëqeverisin me LDK-në, janë të dëgjueshëm

E publikuar: 29/08/2019 00:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dardan Molliqaj i PSD-së, ka thënë se ajo që është e sigurt aktualisht është se koalicioni i kësaj partie me AAK-në është i pari, dhe se sigurisht që askush nuk do të mund të qeverisë i vetëm.

“Sigurisht na duhen bashkëpunime paszgjedhore, për shkak të dinamikës dhe ndarjes që është bërë duke se do të kemi 4 blloqe që nuk do të ketë dallim shumë të madh mes vete. Mund të ketë një dallim me 5-6 deputetë”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se me aq sa ka parë edhe nga AAK-ja dhe Ramush Haradinaj ka vullnet të qartë që PDK-ja do të jetë në opozitë.

“Mendoj se ka ardh momenti për këtë. Nuk ka kuptim me dal të parët në zgjedhje dhe me marrë PDK-në në opozitë. Të gjithë kemi bërë përpjekje dhe jemi angazhuar por vetëm AAK-ja, me veprimet e kryeministrit Haradinaj dhe e ndihmuar nga ne ka bërë të mundshme që PDK-ja të dalë në opozitë”, ka thënë Molliqaj.

Ish-partinë e tij, Vetëvendosjen, ai e ka quajtur PDK 2.0.

“As PDK-ja e as PDK 2.0 e kanë të pamundshme të arrijnë koalicione, njëra për atë që ka bërë e tjetra për atë që mund të bëjë. Asnjëra nuk kanë aftësi me ndërtu marrëdhënie të qëndrueshme me askënd”, ka thënë Molliqaj.

Duke folur për ish-kolegun e tij, Galauk Konujfca, ka thënë se ai ka “logjikë totalitare” duke marrë shkas nga një debat i një nate më parë se cili personalitet politik është i mirë për cilën pozitë.

“Po më pyete mua, do t’i filloja negociatat për koalicion paszgjedhor me LDK-në. Kjo është një preferencë e lehtë e imja”, ka thënë Molliqaj. “Krejt kanë dëshirë të qeverisin me LDK-në se është parti që s’ta prish shumë, jo për shkak të kualitetit por për shkak se është e dëgjueshme”, ka shtuar më tej ai.

00:08
Molliqaj: Asnjë sondazh s’e nxjerr VV-në të parën, prijmë ne
Dardan Molliqaj, ish-deputet i PSD-së, ka thënë se sipas sondazheve të fundit, në Kosovë prin koalicioni AAK-PSD.

Ai ka thënë se në “asnjë sondazh Vetëvendosje s’ka dalë e para”.

Molliqaj ka thënë se matja e fundit që e nxori, sipas tij, koalicionin PSD-AAK në vend të parë, u bë pas datës 3 gusht, kur Isa Mustafa u rizgjodh në krye të LDK-së.

“Ka sondazh që dalim të parët. Para se të bëhet koalicioni, pas datës 3 gusht është testuar koalicioni dhe jemi të parët por me diferencë të vogël. 0.7 për qind apo 0.9 ka qenë dallimi me VV-në sepse sondazhi është arrit një ditë pasi u zgjodh Mustafa kryetar i LDK-së e mënyra e zgjedhjes dhe fakti që u zgjodh ai e ne e dimë që ai është i papëlqyer nga elektorati e kjo e zbriti LDK-në. VV e LDK kishin dallim më pak se një për qind”, ka shtuar ai.

Molliqaj tutje ka thënë se megjithatë “dallimi në fund do të jetë edhe më i madh”.

Ai ka thënë se “nuk ekziston ndonjë sondazh që e nxjerr VV-në të parën”. Ka shtuar se “LDK-ja ishte e para prej ndarjes së VV-së, qe dy vjet, por prej 31 për qind ka rënë në 21”

Molliqaj ka thënë po ashtu se sipas leximeve të tij “shumë njerëz që presin të marrin vota më së shumti do të kenë zhgënjim”.

Ai ka thënë se për të treguar matjet saktësisht duhet të shihet puna në terren, të bëhet leximi i mirë i matjeve dhe të ketë program të mirë qeverisës.

“Janë dy-tri gjëra. E para, puna në terren dhe ata që merren me këtë punë e shohin ku ndodh ndryshimi. Pata fol më 2017 që votuesi po ndërron. Kanë menduar se është vullnet, propagandë, e pak ishin që besuan. Kjo shihet edhe sot. Situata në terren ka ndërruar rrënjësisht. Ka lëvizje të mëdha të votuesit. Dy parti që ishin vazhdimisht në rritje janë AAK-PSD. AAK ndjeshëm në kohën e fundit. E dyta, janë matjet e opinionit publik. Në krahasim me ata që ja kanë nisë me fol, besoj që jam ekspert. Ndërlidhja që duhet të bëhet me tabelat e numrave tregon shumë më shumë se numri. Prej leximeve tona, kjo çështje tregon që jemi aty si dy subjekte dhe si kandidat për kryeministër. Kandidati është goxha me ndikim në përcaktimin e fituesve në fund. Gara është për program dhe njeriun. Në anën tjetër që ka kryer punë, dhe ata që flasin për atë punë. Votuesi zgjedh atë që ka kryer punët. E treta, unë nga përvoja që besoj se e kam, programi që ka për të ofruar PSD dhe AAK e kandidati për kryeministër do të jetë shumë i qartë. Besoj që PSD-ja luan rol të rëndësishëm”, ka thënë ai.

23:46
Molliqaj: PSD ka pranuar autostradën e Dukagjinit

Ish-deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se për të arritur një koalicion parazgjedhor duhet të ketë kompromise, dhe kjo ka thënë se është bërë edhe me koalicionin parazgjedhor mes AAK-së e PSD-së.

Sipas tij, ndër dallimet kryesore që ishte në të kaluarën është plani i AAK-së për autostradën e Dukagjinit, e që PSD tash thotë se e ka pranuar.

“Çka nënkupton bashkëpunimi. S’nënkupton shkrirje. S’është kjo dashuri. Është për çka janë bashkuar. Ne s’jemi bashkuar pse pajtohemi 100 për qind, por kemi thënë a mundemi që plani jonë dhe i juaji të integrohet jo 100 për qind, por të gjejmë pikat që bashkohen e duke bashkuar forcat edhe elektorale edhe dijes e realizimit të ndryshojmë jetën e njerëzve. A ka kompromise? Po. Kjo është mirë të bëhet sa më herët. Edhe dallimet që kemi pas. Sigurisht AAK ka pranuar gjëra që po të shkonte vet s’do të kishte temë kryesore, për shembull pagën minimale, shëndetësinë si e shohim ne, sigurimet shëndetësore e shumë tema të tjera. PSD-ja është dashtë po ashtu t’i adresojë. Ku jemi dakorduar për autostradën? Meqenëse është kjo ide e tyre për zhvillimin ekonomik të rajonit, kemi thënë hajde të gjejmë mënyrën më të mirë të financimit për këtë projekt, që të ketë kosto sa më të ulët. Ekipet po punojnë, dhe besoj që ka modele të ndryshme. Një nga to është kredia në BERZH që e kemi marrë 50 milionë euro a diçka për qarkoren e Prishtinës, është e butë, kthimi i ngadalshëm. Absolutisht, kemi gjetur koordinim si t’i shtyjmë projektet përpara”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë po ashtu se është “zgjidhur edhe problemi potencial mes dy partive për kontratën për termocentralin ‘Kosova e Re’”. Këtu ka treguar se dallimi ishte te mënyra e financimit. Ka thënë se qeveria është treguar e kujdesshme që nëse dështon marrëveshja të mos penalizohet shteti dhe në anën tjetër ka thënë se PSD-ja ka pasur të drejtë se investimi s’ishte i qëndrueshëm sepse “Contour Global” s’ishte kompani energjetike.

“Ne ishim ekskluzivisht kundër kontratës që ka nënshkruar Qeveria me ‘Contour Global’ sepse është e dëmshme për zhvillimin e kapacitetit energjetik në Kosovë. Ka qenë modeli i një kompanie gjermane, ndër më të mirat në rajon e botë, për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë, kosto ishte më e favorshme dhe përfitimet tona janë më të shpejta e më të mëdha. Jemi në një pikë ku është zgjidh problemi potencial mes nesh, por edhe për shtetin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Molliqaj ka thënë se e sheh koalicionin AAK-PSD si fituese të zgjedhjeve.

Duke folur për deklaratat e tij drejt AAK-së së Ramush Haradinajt, si parti e haraçit, Molliqaj ka thënë se ka qenë një deklaratë e hershme, të cilën e ka sqaruar me Haradinajn.

“Pas kësaj ne e patëm vazhduar bashkëpunimin në VLAN dhe më pas edhe në VAN, në opozitë. E tha edhe këtu Haradinaj, që në vitin 2013 kërkon nga të gjithë ata që bëjnë këto veprime, ta lënë AAK-në”, ka thënë Molliqaj.

“Fundja, jemi këtu jo pse Dardanit i pëlqen Haradinaj, ose atij i pëlqen Dardani, se përndryshe do të shkoja unë në AAK, ose ai do të vinte në PSD. Ne jemi bashkuar në një program që mendojmë se është më i miri për Kosovën. Dallimet tona janë më të vogla se sa ndasitë mes nesh. Ne e kemi kuptuar që bashkë mund t’i fitojmë zgjedhjet sepse për këtë hyhet në zgjedhje”, ka thënë Molliqaj, duke shtuar se lidhja politike nuk mund të shihet si lidhje dashurie në çift.

Kur ka folur për Kurtin dhe ish partinë e tij, Vetëvendosjen, ai ka thënë se ai është në gjendje ta dëmtojë interesin e përgjithshëm për ambicie personale.

“Për ambicie të një personi u nda partia, për ambicie të një personi nuk po ndodh koalicioni VV-LDK që iu tha popullit si koalicion që do t’i fitonte zgjedhjet”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se është rrezik nëse në politikë nuk ndryshon qëndrim, kur është pyetur për deklaratën e tij se Albin Kurti është shumëfish më i mirë për kryeministër sesa Ramush Haradinaj.

“Mund të jesh konsistent, por dogmatik”, ka thënë Molliqaj.